Emisioni “Uniko” në Klan Plus publikoi një fotografi të Renato Hamza brenda një lotoje sportive në qytetin e Shijakut në vitin 2013. Nëna e tij, Silvana Hamza, konfirmoi se personi në foto është djali i saj, Reni i Elbasanit. Por përse është e rëndësishme kjo foto dhe çfarë e lidh me zhdukjen e Renit? Në këtë lokal në të njëjtën natë, në ambientet e jashtme ndodhi një vrasje.

Mbrëmjen e 26 Gushtit të vitit 2013, u vra në një atentat Elvin Kërtalli 37 vjeç dhe mbeti i plagosur shoku i tij Dorjan Beqiri.

Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Shijakut pak para mesnatës. Elvin Kërtalli dhe Dorjan Beqiri u qëlluan me breshëri arme sapo dolën nga ambientet e brendshme të një loto sportive. 37-vjeçari Kërtalli ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital, ndërsa shoku i tij mbeti i plagosur rëndë.

Autorët të paidentifikuar hapën zjarr nga dritaret e një makine në lëvizje, dhe më pas u larguan me shpejtësi.

Mesa duket, atentatorët kishin marrë informacion të saktë për vendndodhjen e objektivit të tyre. Ata qëndronin brenda një makine të parkuar në distancë duke pritur momentin e duhur për të sulmuar. Kur Elvin Kërtalli dhe Dorjan Beqiri dolën nga lokali, vrasësit qëlluan me breshëri në drejtim të tyre.

Kjo ngjarje, që ende mbetet e pazbardhur nga policia, është pasuar me disa atentate të tjera në Durrës, Tiranë dhe Holandë. /klanplus