Gjatë takimit tre orësh në Ankara me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan kreu i Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i bënë thirrje Turqisë që të vijojë të punojë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Greqinë dhe Qipron mbi të drejtat e kërkim naftës e gazit në Mesdhe.

Michel tha se Brukseli ishte i gatshëm që të paraqesë një axhendë konkrete për të forcuar bashkëpunimin me Turqinë në ekonomi në mbështetjen e refugjatëve dhe lidhjet ndërshoqërore.

“Në ishim ne Ankara për të nisur diskutimet me Erdogan mbi të ardhmen e marrëdhënieve BE-Turqi. De-përshkallëzimi i qëndrueshëm është i nevojshëm për të ndërtuar një agjendë më konstruktive. BE njeh rëndësinë strategjike të marrëdhënieve reciprokisht të dobishme dhe pozitive me Turqinë dhe sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor”.

“Ne presim që Turqia të përmbushë angazhimet e saj që përfshijnë parandalimin e kalimeve të parregullta të refugjatëve dhe rifillimin e operacioneve të kthimit të atyre që ndodhen në ishujt grekë drejt territorit turk pa ndonjë vonesë”.

Michel dhe von der Leyen thanë se tani mund të fillonte puna mes palëve për lidhje të thella tregtare, Bashkimin Doganor, liberalizimin e vizave, si dhe për sigurimin e më shumë parave për miliona refugjatë te strehuar në Turqi. Ankaraja ka akuzuar Brukselin për mosrespektimin e marrëveshjes së vitit 2016 për mbajtjen e 4.3 milionë emigrantëve kryesisht nga Siria.

Pavarësisht shqetësimeve të disa udhëheqësve evropianë për mosrespektim te të drejtave të njeriut, BE ka përshëndetur tërheqjen e fundit të Ankarasë të anijeve që veprojnë në ujërat e diskutueshme dhe rifillimin e bisedimeve me Greqinë.

BE kishte paralajmëruar Ankaranë për sanksionet nëse riniste kërkimet e naftës dhe gazit në ujërat e diskutueshme me Greqinë. Shtetet anëtare të BE-se janë ndarë për mënyrën e veprimit me Turqinë. Qiproja, Greqia dhe Franca kërkojnë një vijë të ashpër ndërsa shtete të tjera, të udhëhequra nga Gjermania, duan më shumë bashkëpunim me Ankaranë.

Klan News