Kryeministri Edi Rama shpërndau për mediat pamjet nga takimi që pati mëngjesin e kësaj të enjteje me një përfaqësi të fermerëve.

“Për atë masë buxheti që kemi në dispozicion do ulemi prapë ta diskutojmë”, u tha Rama fermerëve, para seancës ku pritet që të miratohet paketa fiskale.

Takimi me fermerët erdhi pasi këta të fundit kishin dalë në protestë jashtë godinës së parlamentit. Në momentin kur kryeministri mbërriti në Kuvend, Rama i ftoi ata për t’u futur brenda dhe për të biseduar për shqetësimet e tyre.

“Unë po të jap fjalën këtu që, që javën tjetër ne ulemi pa zhurma flasim me argumente… Bëjmë idenë tuaj nëse na jepni ide më të mira se ajo që ne kemi. Te zyra ime do takohemi, në Kryeministri”, u tha Rama mes të tjerash fermerëve në këtë takim.

E teksa i shpërndau këto pamje në rrjete sociale, Kryeministri shkruajti: “Debati në Kuvend me një grup fermerësh nga protesta dhe drejtuesin e tyre, kandidat për deputet i PD-së, ishte shumë më konstruktiv e i dobishëm se sa debatet në sallën e parlamentit, ku debatet sundohen nga akuzat, shpifjet e sharjet me natyrë personale. Ramë dakord që ndryshimi i qasjes së financimit nga qeveria është i duhuri. Por kemi dallime për mënyrën e re të adresimit dhe për këtë do të takohemi së shpejti me mendje të hapur për të dëgjuar njëri-tjetrin. Përgjithësisht duhet ta dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe ky i sotmi është një shembull pozitiv për të gjithë ata që duan t’i zgjidhin problemet, e jo të bëjnë politikë të ulët me problemet.”

Vetë fermerët pas takimit u shprehën se Rama u premtoi një takim më të detajuar për të biseduar për të gjitha shqetësimet e tyre. Fermerët deklarojnë se vetë Kryeministri nuk është shumë në brendësi të problematikave që kanë. Ata thonë se duhet të ketë rimbursime direkte për fermerët për t’i nxitur edhe më tej, pasi të në kundërt ata thonë e rrezikojnë falimentin.

Ata kërkojnë që të jenë pjesë e diskutimeve përpara se të hartohen të gjitha ligjet dhe projektligjet e paketës së re fiskale.

Këto reagime vijnë në një kohë kur Kuvendi mblidhet pikërisht për miratimin e kësaj pakete. Fermerët thonë se kanë kërkuar edhe më herët që të jenë pjesë e diskutimeve/propozimeve, me autoritetet qeveritare në mënyrë që të diskutohen të gjitha problematikat për të mos arritur në vendimin final të votimit, që më pas sipas tyre, do të ketë edhe pasoja në sektorin e bujqësisë.

Fermerët thanë po ashtu se ndanë këndvështrimet tyre me kryeministrin. Ky i fundit pasi i dëgjoi i premtoi një takim të mëtejshëm më të detajuar për t’u ulur në bisedime dhe për të folur për të gjitha problematikat që sot ka sektori i bujqësisë. Nëse këto nuk do merren parasysh thonë fermerët ata theksojnë se do të vazhdojnë me protestat, në mënyrë që të mbrojnë punën dhe prodhimet tyre dhe të kenë mundësi për një rimbursim direkt.

Pika më kryesore që ka ndezur debate në paketën e re fiskale për vitin që vjen është heqja dhe zerimi i rimbursimit prej 6 përqind për fermerët./tvklan.al