Policia e Tiranës dha informacion zyrtar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, ku mbeti i plagosur në këmbë një 27-vjeçar. Kështu, në njoftimin e saj paraprak për mediat, policia thotë se shkak për ngjarjen u bënë motivet e dobëta.

Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.  Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të Qytetit për kapjen e autorit.  Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Tvklan.al mëson se autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Ndriçim Jonuzi alias Ndriçim Tahiri, pasi ka ndërruar mbiemër. Ky person rezulton me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Ndërkohë sa i përket të plagosurit, 27-vjeçarit Bledar Okshtuni, ai ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Okshtuni mbante detyrën e sekretarit të PD në qytetin e Kavajës./tvklan.al