Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur paraditen e datës 31.12.2020, ku si pasojë mbeti i plagosur me armë zjarri Xhuliano Muçaj, 25 vjeç, arrestuan në flagrancë autorin e ngjarjes, shtetasin K. K., 18 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Vlorë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në familje, ku Xhuliano Muçaj ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij dhe babait të saj shtetasit A. K., 46 vjeç banues në lagjen “Partizani”, Vlorë (familjarë të autorit të ngjarjes, shtetasit K.K).

Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë dhe Xhuliano Muçaj, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Si dhe janë proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës” shtetasit N. H., K.H., F. H., (familjarë të shtetasit të dëmtuar M. H), pasi këta të fundit kanë dhunuar banesën dhe kanë kanosur shtetasin A. K dhe familjarët e tij. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe 1 sasi municioni luftarak./tvklan.al