Për Ramazan Hasanlliun, mesdita e së enjtes ishte tragjike. 52-vjeçari u gjend në vendin dhe momentin e gabuar e kjo i kushtoi atij jetën. Shkak u bë një konflikt banal mes 5 personave, përplasja e të cilëve degjeneroi në përdorimin e armëve në mes të rrugës. Plumbat e nxjerra nga armët e tyre prekën Hasanlliun, i cili nuk kishte lidhje me konfliktin. 52-vjeçari nga Kavaja gjeti vdekjen e menjëhershme.

E gjithë kjo ngjarje e rëndë, ndodhi në lagjen numër 4 të qytetit të Kavajës, rreth orës 12:20 të një dite më parë. Nga plumbat mbetën gjithashtu të plagosur edhe 5 persona të tjerë. Mëngjesin e kësaj të premteje, policia njoftoi zbardhjen e saj. 5 persona përfunduan në pranga, ndërsa një i 6 është në kërkim.

Të arrestuarit janë Marjus Aliu, 31 vjeç, Ardian Dedej, 43 vjeç, Eraldo Hyka, 22 vjeç, Qazim Merkja , 25 vjeç dhe Agron Kollçaku, 39 vjeç. Ky i fundit u prangos pasi akuzohet për moskallëzim krimi. Ndërsa në kërkim që prej ditës së djeshme është Denis Aliu, 33 vjeç.

Policia sqaron se nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobta, ku Eraldo Hyka, Ardian Dedej dhe Qazim Merkja janë konfliktuar me vëllezërit Marjus Aliu dhe Denis Aliu, konflikt, i cili është përshkallëzuar deri në përdorim të armëve dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një kalimtar i rastit, si dhe janë plagosur Ardian Dedej, Eraldo Hyka, A.A., S. M. dhe Marjus Aliu, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu 3 makina që janë përdorur nga autorët e dyshuar, aparatë celularë, fishekë luftarakë, si dhe një sërë provash të tjera, të cilat janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik. Ndërkohë autoritetet vijojnë veprimet hetimore dhe proceduriale për grumbullimin e informacioneve dhe provave të tjera./tvklan.al