Histori me zhurmues – Petro Olldashi ishte një nga personazhet që ndeshej shpesh në kronikat e kohës së komunizmit. Olldashi, i cili ishte cilësuar si hero i punës socialiste në atë kohë, ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

“Unë fillova punë në vitin 1946 dhe punova për 6 muaj për bunifikimin e kënetës së Maliqit. Për të gjithë ishin kushte shumë të vështira. U bë e mundur që të bunifikohej dhe Shqipërisë iu dhanë mijëra hektarë tokë. Për herë të parë u çel puna për hekurudhën Durrës-Peqin. Ditën që desha të filloj punë në Patos më thirri përgjegjësi i kuadrit dhe më thotë të shkoja në ofiçinë. Unë kërkova që të shkoja në një stacion pompimi që i shërbente puseve të shpimit. Qëndrova 5-6 muaj aty, por e shikoja veten të mbyllur. Më vonë më caktuan tek sondat e shpimit. Në atë kohë kishte edhe specialistë italianë, të cilëve ne iu vodhëm zanatin. Më 1948 u bëra kryesondist. Shtëpia ime ishin puset e naftës. Kemi realizuar shpime në shumë qytete. Më vonë kalova në arsim për 7 vite, ku edhe e mbylla. Të shpoje një pus nafte në atë kohë vlerësohej 10 mijë lekë. Unë kam zbuluar 35 puse me naftë. Kur dilnin puse negative kërkohej shumë llogari. Në fund të viteve 83-84 unë u thirra në hetuesi dhe u mora direkt si i pandehur për arsye se sipas tyre mendimet e mia kishin ndikuar negativisht. Por një ditë më thanë nuk do ndiqesh. Edhe sot e kësaj dite unë nuk e di se si u mbyll kjo çështje”,tregoi Petro Olldashi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv