Kosova dhe Serbia nënshkruan këtë të premte në Shtëpinë e Bardhë në Washington marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes këtyre dy vendeve. Por çfarë përmban ekzaktësisht kjo marrëveshje e nënshkruar në prani të Presidentit amerikan Donald Trump? Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja Blerta Dalloshi Berisha zbuloi pikat kryesore.

Kështu, të dyja palët do të zbatojnë ndërtimin e autostradës Prishtinë-Beograd, do të angazhohen që të gjejnë zgjidhje për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore që duhet të ketë qasje në Detin Adriatik. Linja hekurudhore do të bëhet përmes Nishit dhe Prishtinës.

Kosova me këtë marrëveshje nuk ka të drejtë që të aplikojë për një vit në organizata ndërkombëtare, që do të thotë se automatikisht do të pezullohen kërkesat për njohje në këto organizata.

Kosova ka pranuar gjithashtu që të jetë pjesë e Minishengenit Ballkanik.

“Dihet që për një kohë të gjatë, Kosova ka refuzuar që të jetë pjesë e këtij Minishengeni Ballkanik, madje për këtë ka pasur edhe përplasje me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”.

Një prej pikave që janë pajtuar është edhe që Kosova dhe Serbia do të përdorin bashkërisht liqenin e Ujmanit, ku të dyja vendet do të punojnë me Departamentin Amerikan për Energji, për studimin e fizibilitetit në mundësinë e përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si burim për ujë dhe furnizim me energji./tvklan.al