Konsumatoret-per-ushqimetMinistri i Bujqësisë edhe sot ka shmangur detyrimin për të folur rreth sigurisë së perimeve që shiten lirshëm në tregjet tona. Një takim me një biznesmen kosovar është përcjellë sot nëpër media, duke promovuar edhe qëllimin e këtij takimi, që ishte ngritja e një pike të madhe magazinimi të produkteve kryesisht të zonës së Lushnjës. Një biznes i ri sigurisht që është lajm i mirë, për më tepër në këtë fushë ku do të rregullonte zinxhirin e mbledhjes dhe shitjes së këtyre produkteve,duke u dhënë më shumë siguri edhe fermerëve për  mundin e bërë.

Por, sot problemi është një tjetër. Çfarë po konsumojnë sot shqiptarët?

A janë të sigurta domatet, kastravecat, apo produkte të tjera? Në një kohë kur vetë një pjesë e mirë e fermerëve e pranojnë se përdorin kimikate të ndryshme mbi dozën e lejuar. 70-80 herë më shumë thonë specialistët e fushës.

Në një kohë kur vetë ministri, një herë deklaron se Laboratori që kontrollon këto produkte punon, madje duke bërë edhe vetë performancat e rastit, e më pas thotë që do të nisë së shpejti nga puna.

Në një kohë kur specialistë të fushës thonë që nga këto produkte rrezikohet vetë jeta e qytetarëve. Sigurisht që të gjitha këto fakte tregojne se vetëm siguri për këto produkte nuk ka.

Kur eksportues të produkteve nga fermat kryesisht të Myzeqesë, deklarojnë se asnjë nga vendet ku ata eksportojnë produktet shqiptare, nuk i merr për bazë analizat e kryera në Shqipëri, por janë të detyruar t’i nënshtrohen kontrolleve të tjera pa kaluar kufirin dhe të presin aty deri sa përgjigjet e analizave të bëhen.

Për këtë arsye, prodhimet shqiptare tregtohen vetëm në disa nga vëndet e rajonit, kryesisht në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Dhe për shkak të mungesës së kontrollit, hyrja e perimeve shqiptare në tregjet e mëdha të vendeve të Bashkimit Europian është bllokuar.

Këto janë shqetësimet reale dhe tepër të ngutshme për tu zgjidhur, sigurisht së pari për konsumatorët, por edhe për vetë fermerët, pasi jo të gjithë abuzojnë, por pothuajse të gjithë po e pësojnë. Sigurisht që, përmirësimi i situatës së kontrolleve, dhe një cilësi e siguri më e madhe e produkteve të të tokës, do të rriste edhe nivelin e eksporteve. Një biznes i ri, në fushën e bujqësisë është lajm i mirë, por, pa lënë mënjanë edhe lajmet e vjetra, që flasin më tepër për probleme ende të pazgjidhura.

Tv Klan