Njësia komando elitë në Gjermani është shpërbërë pjesërisht pas pretendimeve se në radhët e saj janë përfshirë ekstremistë të krahut të djathtë.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes urdhëroi shpërbërjen e pjesshme të forcave speciale KSK.

Nëpër mediat gjermane është përfolur gjithashtu edhe për incidente mes pjesëtarëve të kësaj njësie elitë, disa prej të cilëve zotëronin parrulla naziste dhe bënin përshëndetjen hitleriane. Madje është diskutuar edhe për të vrarë politikanë të krahut të majtë.

Ministrja Kramp-Karrenbauer tha për mediat gjermane se KSK është “pjesërisht e pavarur” dhe nuk mund të vazhdojë në situatën aktuale, por do të reformohet.

Përkundër kritikave dhe kërkesave të shumta për ta shpërndarë plotësisht njësinë elitë, ministrja e Mbrojtjes refuzoi që ta shpërndante tërësisht këtë trupë, duke thënë se është e nevojshme ekzistenca e saj, por theksoi se duhet të fitojë besimin e publikut, raporton Bild.

Njësia komando KSK e Gjermanisë përbëhet nga trupa ushtarake elitare. Kjo njësi është e përfshirë në aksione anti-terror, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Ballkanit.  

Gjenerali Markus Kreitmayr 52 vjeç kërkoi nga ekstremistët që të largoheshin nga njësia speciale KSK. Muajin e kaluar, Gjenerali 52-vjeçar i dërgoi një letër secilit anëtar të kësaj njësie duke i paralajmëruar se KSK po kalonte periudhën më të vështirë në historinë e saj. /tvklan.al