Policia dhe Prokuroria e Elbasanit vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë që përgjaku qytetin e Elbasanit të mërkurën, ku mbeti i vrarë ish-kryetari i LSI-së në këtë qytet, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë, përfshirë edhe një efektive policie.

Shoqërimet e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen kanë vijuar gjatë pasdites, si edhe në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës. Mësohet se të paktën 10 persona janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Vendore të Elbasanit, të cilët kanë qenë dëshmitarë apo që kanë dijeni për përplasjen e armatosur.

Korrenspondenti i Klan News në Elbasan, Fatos Salliu thotë se hetuesit kanë qenë në vendngjarje edhe mëngjesin e sotëm, ndërkohë që rruga ku ndodhi konflikti me armë ka qenë e bllokuar për qytetarët gjatë gjithë natës.

“Deri në orët e vona të natës ky vend ka qenë i rrethuar dhe i bllokuar , ndërkohë që pas përfundimit të procedurave hetimore, sot në orët e para të mëngjesit është zhbllokuar dhe qytetarët po fillojnë të lëvizin normalisht.  Sa i përket procedurave hetimore ende nuk ka një informacion zyrtar, por gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës janë shoqëruar disa persona në polici. Mes tyre është edhe Arbër Paplekaj i cili ishte pjesë e strukturave të PD-së”, raporton gazetari Salliu.

Nga shkëmbimi i zjarrit mes eksponentëve të PS dhe PD, si dhe forcave policore, mbetën të plagosur efektivja e forcave “Shqiponja” Xhensila Sota, Pavlo Vuksani 50 vjeç Emiljan Prenga 39 vjeç, të dy ish-punonjës policie dhe Eltjon Bodinaku 32 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së mërkurës, kur 3 furgona që drejtoheshin nga disa persona pjesë e shtabit të Partisë Demokratike, kanë ndaluar këtë fuoristradë tip  Benz-in ML pa targa, me pretendimin se personat që gjendeshin në të shpërndanin para dhe u merrnin zgjedhësve karta identitetit.

Në vendngjarje ka shkuar edhe policia si dhe mbështetës të tjerë të PS-së, përfshi edhe viktimën Pjerin Xhuvani, i cili mësohet se ka mbërritur me një makinë tjetër. Pavarësisht pranisë së forcave të policisë situata ka dalë jashtë kontrollit dhe palët kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Sipas policisë autori i krimit është 36-vjeçari Arber Paplekaj, një ish-efektiv i forcave RENEA dhe ish-punonjës i stafit të Ambasadës Amerikane, i cili mësohet se u vetëdorëzua pas ngjarjes. Në kërkim është shpallur edhe Kelmend Xhaferri, që dyshohet se ka qëlluar me armë duke lënë të plagosur Pavlo Vuksanin dhe Emiljano Prengën.

Mësohet se Paplekaj menjëherë pas përplasjes është larguar në këmbë dhe më pas ka marrë me forcë një makinë dhe ka udhëtuar drejt Tiranës, ku dhe i është vetëdorëzuar një prej drejtuesve të forcave RENEA, ndërsa ka dorëzuar edhe armën me të cilën qëlloi, një pistoletë tip Glock të cilën e kishte me leje. /tvklan.al