33-vjeçari shqiptar i cili u gjet i vdekur të dielën në qelinë e tij, në burgun e Koridalos në Athinë, besohet se është pjesë e të njëjtës bandë me Arbër Bakon, i vrarë me thikë në të njëjtin burg më herët gjatë këtij muaji.

Ndonëse 33-vjeçari dyshohet se vdiq nga overdoza, autoritetet greke po hetojnë edhe mbi mundësinë që ai mund të jetë vrarë. Sipas asaj që shkruan e përditshmja Kathimerini, dyshimet vijnë pikërisht nga lidhja e tij me Bakon dhe një tjetër të dënuar, të cilët akuzohen për vrasjen e avokatit Michalis Zafeiropoulos, në 2017-n në Athinë. Vetë këta persona dyshohen si anëtarët e një bande shqiptare, që merreshin me vrasje me pagesë.

Sipas burimeve të Kathimerinit, 33-vjeçari i kishte strehuar dy shqiptarët në fjalë në zonën periferike të Kalitheas, përpara se ata të ekzekutonin Zafeiropoulos në zyrën e tij, në Nëntor të 2017-s.

Pas arrestimit të dy vrasësve të dyshuar, autoritetet policore kontrolluan apartamentin ku ata ishin strehuar dhe gjetën armë të ndryshme, si pistoleta, kallashnikovë, municione, eksplozivë, si dhe dy uniforma policie.

33-vjeçari dyshohet gjithashtu se kishte qenë i lidhur me disa incidente të dhunshme që po hetoheshin nga policia.

Ndërkohë, një i burgosur i tretë, po shqiptar, i cili cilësohet si lideri i bandës dyshohet se ishte objektiv i një tentative helmimi, i kishte kërkuar 33-vjeçarit që të dëshmonte rreth ngjarjes.

Autoritetet kanë nisur një hetim për vdekjen e shqiptarit, ndërsa pritet gjithashtu që të ketë një raport nga eksperti mjeko-ligjor.

/tvklan.al