BBC sjell detaje sesi po shkojnë bisedimet mes negociatorëve të Rusisë dhe Ukrainës. Në një video të postuar në rrjetet sociale nga këshilltari i presidentit ukrainas thuhet se Rusia kishte filluar të ndërvepronte në mënyrë konstruktive.

“Rusia tani e percepton në mënyrë më të saktë botën përreth saj. Ajo është shumë më e ndjeshme ndaj pozicionit të Ukrainës, që është dëshmuar në fushën e betejës dhe në veprimet e Ukrainës në drejtim të mbrojtjes së interesave të saj”.

“Propozimet tona janë në tryezë dhe janë shumë të ashpra. Para së gjithash, ato kanë të bëjnë me tërheqjen e trupave, armëpushimin etj. Në parim, ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga pozicionet tona. Rusia tashmë e kupton këtë. Rusia ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive”.

Edhe diplomatja e lartë amerikane, Wendy Sherman, tha se Rusia po tregonte shenja të përfshirjes në negociata, thotë korrespondenti i BBC James Landale.

Por asnjëra palë nuk thotë se ku është arritur përparim, nëse ka përparim në çështjet humanitare apo edhe një mundësi për armëpushim, shton korrespondenti i BBC.

Nga ana tjetër në një deklaratë për mediat në vend, Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, dha një notë më pesimiste duke thënë se lufta do të ishte e gjatë dhe se më e keqja nuk ka ardhur ende./tvklan.al