Kanë kaluar disa orë nga vrasja e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit nga policia Talo Çela. 62-vjeçari Bujar Çela u ekzekutua nga persona të maskuar përpara një lokali në Bradashesh të Elbasanit.

Gazetari i Tv Klan, Driçim Çaka që ka shkuar në vendngjarje, raporton se në këtë lokal ka rifilluar puna si zakonisht, pavarësisht se disa orë më parë aty ndodhi një vrasje.

Gazetari sqaron se klientët që kanë shkuar në këtë lokal, kanë parë njollat e gjakut të viktimës, të cilat janë ende të dukshme. Po kështu, evidente janë edhe shenjat e plumbave të shkrepura nga armët e atentatorëve.

Vetëm pak orë pasi ndodhi ekzekutimi në këtë lokal, ka vijuar puna normalisht pavarësisht se në vendin e ngjarjes janë ende të freskëta gjurmët e gjakut, ka ende shenja plumbash. Është lejuar rifillimi i aktivitetit, ndërkohë që shumë klientë me të cilët unë bisedova, treguan se si shikonin gjurmët e gjakut, gjakun në tapetin e lokalit ende të papastruar për shkak se ngjarja ka vetëm pak orë që ka ndodhur”, raportoi gazetari i Tv Klan Driçim Çaka.

Në vrasjen e 62-vjeçarit Bujar Çela mendohet se morën pjesë 3 persona. Dy prej tyre e kanë qëlluar me pistoletë, ndërsa një i tretë e qëlloi me pushkë. Vrasja ndodhi rreth orës 05:45. Sipas policisë, Bujar Çela nuk kishte precendent dhe nuk njihej si njeri problematik. Dyshohet se vrasja e tij mund të ketë ndodhur për shkak të vëllait, Talo Çelës, i cili është në kërkim dhe i akuzuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, njëra prej të cilave edhe grabitja e parave në aeroportin e Rinasit. /tvklan.al