Një pako e dyshimtë, e ngjashme me atë që u dërgua në zyrat e CNN dhe zyrtarëve demokratë, u dërgua këtë të enjte në një restorant në New York, në pronësi të aktorit Robert De Niro.

Duke cituar burime të policisë, amerikania NBC thotë se pajisja mbërriti në Tribeca Grill orët e para të së enjtes, me orën lokale. Nëse rezulton se ka lidhje me pakot e tjera, kjo do të ishte pajisja e 8-të shpërthyese që u dërgohet kritikëve të Trump.

De Niro është një zë i fortë kundërshtues i presidentit amerikan dhe dikur e cilësoi atë “një fatkeqësi kombëtare”. Departamenti i Policisë së New York tha se në momentin e mbërritjes së pakos, në restorant nuk kishte klientë.

Të martën, një pako me eksploziv u dërgua në shtëpinë e biznesmenit George Soros, ndërsa të mërkurën, pako të ngjashme u dërguan në shtëpinë e bashkëshortëve Clinton, ish-presidentit Obama dhe në zyrat e CNN.

/tvklan.al