Artan Lame deklaroi këtë të mërkurë se shtetit i kanë mbetur në përgjithësi tokat e pafrytshme në zonat bregdetare. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan, kreu i Agjencisë së Kadastrës tha se shteti nuk ka më në pronësi prona të mëdha.

Blendi Fevziu: Çfarë tokash i kanë mbetur shtetit?

Artan Lame: Përgjithësisht i kanë mbetur toka të pafrytshme. Toka të kripura. Përgjatë bregdetit ka sa të duash toka të kripura që Enveri i thau. Në momentin që ra Enveri ranë dhe gjithë impiantet që bënin thithjen pastrimin e ujërave dhe është rikthyer sërish situata moçalore. I ka mbetur një pjesë e Karaburunit sepse edhe një pjesë e Karaburunit jo më larg se para disa muajsh iu rikthye shtetit një sipërfaqe rreth 5 hektarë në Karabarun që ishte marrë po me këtë sistemin e kthimit të pronave.

Blendi Fevziu: Prona të mëdha ka shteti më?

Artan Lame: Vallaj maja e Korbit mund të jetë e shtetit akoma.

Blendi Fevziu: Flas në bregdet, flas në troje serioze.

Arta Lame: Jo mo burrë ku kanë lënë gjë.

Blendi Fevziu: Nuk ka asnjë?

Artan Lame: Ka njollëza. Copëza. Meqë pashë, poshtë Butrintit. Poshtë Butrintit ka një situatë tjetër. Kjo është fusha e Vrinës dhe kjo pjesa këtu ishte tharë në kohën e Enverit dhe tani po e merr uji. Në 92-shin kur iu nda kooperative ishte e thatë dhe u nda ajo. Nga kanali dhe deri në kufi me Greqinë është një mish-mash pronash. Janë me dhjetëra pronarë, por janë pronarë bashke me shtetin. /tvklan.al