Emri i Forcave Ajrore dhe atyre të Armatosura përmendet jo pak herë në mediat dhe shtypin e shkruar. Por, çfarë funksioni kanë vërtetë Forcat e Ajrore në Republikën e Shqipërisë? I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, piloti Klajdi Tushe i jep përgjigje kësaj pyetjeje.
Ai tregon se Forca Ajrore u vijnë në ndihmë atyre Tokësore dhe Detare, kjo është një ndër detyrat kryesore. Ndër të tjera për sigurinë e territorit dhe qytetarëve shqiptarë, Tushe renditi mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, transportin e të sëmurëve në gjendje kritike në spital dhe shumë detyra të tjera përfshirë këtu dhe kërkim-shpëtimin.
Aldo: Çfarë roli kanë Forcat Ajrore jo vetëm në sigurinë, por dhe në punë të tjera që ne nuk i dimë?
Klajdi Tushe: Në Shqipëri çdo gjë që ndodh nga ajri, çfarëdo që ndodh nga ajri, ndodh nga baza ajrore në Farkë. Nëse ti merr një shërbim që vjen nga ajri, çfarë do që ndodh vjen nga Forcat Ajrore. Detyrë kryesore që ne kemi, është mbështetja e Forcës Tokësore dhe Detare, që i mbështesim me helikopterë në detyrat e tyre. Detyrime të tjera është kërkim-shpëtimi që ne e bëjmë gjatë gjithë kohës dhe këtë e ndjejnë vetëm ata që kanë hasur këtë problem. Tjetër, fikja e zjarreve, transporti VIP, ambulanca ajrore, transporti i të sëmurëve me helikopter apo ndihma e popullsisë në raste të emergjencave ajrore. Çdo gjë që mund të ndodhë nga ajri ne e kryejmë dhe mund të kemi një flotë që është e aftë për të kryer këto misione, për të ndihmuar fundja popullsisë.
Aldo: Ndërkohë që kur jemi bërë pjesë e NATO-s ka ndryshuar përgatitja për pjesën ndaj pilotëve?
Klajdi Tushe: Ka ndryshuar në një formë për mirë, teknologjia ecën dhe njerëzit fillojnë që të përmirësojnë dhe lehtësojnë veten duke përdorur teknologjinë. Kjo ka ndodhur dhe me ne, u jemi përshtatur normave dhe standardeve të NATO-s. Kemi logjikën se si veprojnë ata që të jemi të bashkëveprueshëm./tvklan.al