Lajmi  se Europa do të gjejë në  tavolinat e saj pluhurin ose miellin e karkalecit në gatime të ndryshme dhe larvave të ngrira, të thara  ka  gjetur përkrahjen por  edhe habinë e njerëzve që  nuk janë mësuar të konsumojnë një kategori të tillë ushqimore. Dy të ftuarit në “Rudina” në Tv Klan, profesori i UBT, Spase Shumka dhe shefi i kuzhinës Juli Zguro janë njerëz që kanë  provuar të hanë insekte.

Profesori u shpreh se insektet përmbajnë një mori vlerash ushqyese, kanë sasi të larta proteinash ndërkohë që kushtojnë shumë më pak se sa mishi. Shefi i kuzhinës u shpreh entuziast për këtë lajm  pasi përveçse është një mundësi për të eksperimentuar më shumë  në kuzhinë, mund të zbulosh shije të reja. Duke folur për shijet, lind pyetja, çfarë shijeje ka një karkalec?

Juli Zguro: Në qoftë se ato përdoren , përgatiten ose gatuhen ashtu siç duhet, nuk ka problem, edhe në formë mielli ato mund të përdoren.

Rudina Magjistari: Pra, do ndjehet shija e insekteve në momentin që përzihen me këto produkte të përditshme?

Juli Zguro: Shija e insekteve do ndihet, por meqenëse dhe ana optike nuk është e njëjtë, kështu që nuk do ndihet në të njëjtën formë siç është insekti i plotë në pjatë.

Rudina Magjistari: Po në shije, si e kanë shijen, karkalecat për shembull, si shijojnë nëse do e përshkruanim shijen?

Juli Zguro: Mund ta përshkruajmë me një karkalec deti i cili mund të jetë friturë, por jo me shijen e peshkut. Shija është e veçantë.

Rudina Magjistari: Është e shijshme apo jo?

Juli Zguro: Është e shijshme, varet edhe nga kombinimi që shefat zgjedhin t’i bëjnë, kryesisht është pak delikate në kombinimin që asaj mund t’i bësh. Ose e konsumon siç është, thjesht i pjekur, me një marinim të thjeshtë ose pastaj mund ta bësh në formë salce që mund ta vendosësh, meksikanët e përdorin në taco.

Rudina Magjistari: A hahen krudo?

Juli Zguro: Krudo unë s’e kam provuar, nuk e kam parë, është në fazë eksperimentimi./tvklan.al