Çfarë shkruan BBC për serialin që nis transmetimin në Tv Klan



Çfarë shkruan BBC për serialin që nis transmetimin në Tv Klan

19:59 31/10/2019

Transmetuesi britanik BBC ka vizituar sheshin e xhirimit të serialit të shumëpërfolur “Fauda”, që nis transmetimin premierë këtë të shtunë në ekranin e Tv Klan.

Trilleri televiziv izraelit portretizon botën e errët të njësive sekrete të ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë gjatë Intifadës së Dytë (kryengritjes palestineze kundër okupimit izraelit).

Seriali nuk tregon vetëm dhunën, por edhe dilemat morale duke u kthyer në një hit jo vetëm në Izrael, por në mënyrë suprizuese edhe në vendet arabe, e më gjerë globalisht në Netflix.

Lior Raz, aktori që luan Doron-in dhe gazetari Avi Issacharoff, një specialist i çështjeve arabe krijuan “Fauda”-n, apo “Kaos”-in në arabisht.

Dy shokët shërbyen në një njësit të sekret, ushtarët e të cilit të maskuar si arabë, infiltrohen në zonat palestineze për të kapur të shumëkërkuarit.

“Ne donim të tregonim se si ata (militantët dhe familjet e tyre) jetojnë, përjetimet e tyre dhe çmimin që paguajnë për veprimet e tyre”, thotë Lior. “Për audiencën izraelite ne hapim një dritare që ata të shikojnë se si jetojnë njerëzit atje”.

Avi e shëtit me makinë gazetarin e BBC në rrugët e Hebronit në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, nga ku ai ende raporton. Eksperiencat e tij personale dhe kontaktet e tij formësuan karakteret palestineze të “Fauda”.

“Ne donim të sillnim për audiencën kompleksitetin e këtij konflikti, jo vetëm njësitet e sekrete dhe çfarë bëjnë ata, por gjithashtu si duket e gjitha nga ana tjetër, nga ana palestineze”, thotë Avi.

Hamasi, grupi islamik i cili është armiku i përbetuar i Izraelit, pretendon se “Fauda” është “propagandë zioniste”, por sipas Avi-t grupi ka vendosur një link të serialit në uesbastin e tij.

Karakteri kryesor palestinez në seritë e para të “Fauda”-s është Abu Ahmed, një militant i Hamasit, luajtur nga aktori arabo-izraelit, Hisham Suliman.

“Çështja palestineze është shumë e komplikuar, nuk është bardh e zi”, thotë Hisham, por “Fauda ia doli të dekonstruktojë disa prej simboleve të konfliktit dhe ia ka dalë të prodhojë një pikëpamje e shpjegim të ri.”

Lior dhe Avi qëllimisht kanë vendosur të portretizojnë konfliktin brutal në një mënyrë të re. “Edhe nëse ai është një terrorist, ai e dashuron të shoqen dhe ju duhet ta shfaqni, ai ka fëmijë dhe duhet t’i shfaqni”, thotë Lior, “ndërkohë që edhe personazhet e mira bëjnë gjëra të këqija”.

Aktorja franko-libaneze Laetitia Edo, e cila luan rolin e Dr. Shirin,  thotë se “të dyja anët janë të mira dhe të këqija. Dhe kjo është arsyeja pse njerëzit po thonë për herë të parë ‘kam mëshirë për anën tjetër’. Kjo për mua është e vogël, por mbetet një fitore.”

“Shirin është për ne përfaqësuese e njerëzve të pafajshëm në konflikt, të cilët nuk vrasin të tjerët”, thotë Avi. “Ajo thjesht dëshiron të jetojë jetën e saj dhe kjo është më e trishtueshmja për karakterin e saj.”

Policia kufitare izraelite ka një njësit të sekret të quajtur Yamas, i cili ka operuar për 25 vite, por kurrë më parë nuk është filmuar para se “Fauda” të fitonte akses ekskluziv.

“’Fauda’ është shumë afër realitetit, standardi i luftimit është shumë-shumë i lartë”, thotë komandanti i Yamas.

“Fauda”, e cila është transmetuar ekskluzivisht edhe në “BBC World”, vjen për herë të parë në një televizion shqiptar. Fenomeni televiziv botëror me shifra rekord shikueshmërie në “Netflix”, nga e shtuna në orë 20:05 ekskluzivisht në Tv Klan. /tvklan.al







Të ngjashme