Bombardimet ajrore izraelite në Bejrut e qytete të tjerë libanezë nuk u ndalën as këtë natë duke vrarë 15 persona, teksa ushtria izraelite po grumbullohet në kufirin verior, si përgatitje për një sulm të mundshëm tokësor në jug të Libanit, kundër objektivave të Hezbollahut.

Qeveria izraelite ende nuk ka marrë një vendim për nisjen e një sulmi tokësor dhe duket se për momentin, ky hap nuk është i nevojshëm pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hasan Nasrallah që ka shokuar grupin e miliantëve pro-iranianë.

Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, vrasja e Nasrallahut ishte një arritje e madhe dhe një pikë kthese historike që mund të ndryshojë balancat në Lindjen e Mesme. Ai e pranon se Izraelin e presin ditë sfiduese.

Ministri i Jashtëm iranian Abas Arakxhi paralajmëroi se vrasja e liderit të Hezbollahut, nuk do të kalojë pa hakmarrje. Megjithatë, New York Times shkruan se në Teheran janë të ndarë për qasjen ndaj goditjeve të rënda të njëpasnjëshme që Izraeli po u jep grupeve të mbështetura prej tyre në rajon.

Ndryshe nga konservatorët që duan një kundërpërgjigje të ashpër, duket se presidenti Masud Pezeshkian që i përket linjës liberale kërkon të bëhet kujdes me përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden, duke e quajtur “një formë drejtësie” vrasjen e Nasrallahut tha se ka ardhur koha për një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Tv Klan