Presidenca: Frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është zhvilluar në një format të paprecedentë siç e paprecedentë është dhe situata e krijuar në vend për shkak të pandemisë se koronavirusit.

Përmes video-konferencës, anëtarët e këshillit, nga Presidenti, Kryeministri e kryeparlamentari e deri tek ministrat por dhe kreu i opozitës i ftuar të bëhej pjesë nga kreu i shtetit, kanë diskutuar për masat e ndërmarra dhe ato që priten të merren për përballimin e situatës.

Mbledhja që bëri bashkë Metën, Ramën e Bashën, edhe pse virtualisht, vetë Presidenca në njoftimin për shtyp tha se është zhvilluar në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese.

Veç masave të marra nga qeveria si dhe skenarët e pritshëm që duhen përballuar, është diskutuar dhe për mundësitë e rikthimit të shtetasve shqiptarë që kanë mbetur jashtë kufijve për shkak të mbylljes së kufijve nga pothuajse të gjitha vendet e BE.

Për çdo ndryshim ligjor që nevojitet për shkak të kësaj situate, kryeparlamentari Ruçi ka shprehur gatishmërinë për gjetjen e mundësive për mbledhjet e komisionit dhe vetë seancës, për të cilat kanë nisur dhe testet e para për t’u zhvilluar përmes video-konferencave.

Në njoftim thuhet se kryetari i opozitës Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi dhe pasojat ekonomike dhe sociale, por nuk bëhet e ditur nëse ka gjetur mbështetjen e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë.

Kjo mbledhje shënon dhe komunikimin e parë serioz institucional mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit pas përplasjeve të forta që patën për Gjykatën Kushtetuese. Gjithsesi, vetë Presidenti Meta është shprehur besimplotë se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë.

Tv Klan