Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim kokë më kokë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Berlin.

Për rreth 30 minuta u diskutua mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për pritshmëritë e Shqipërisë për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit Maj.

Kryeministria është treguar e rezervuar rreth qëndrimeve të Kancelares Merkel përsa i përket pozicionit që do të mbajë Gjermania ndaj raportit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave.

Por Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, pjesë e delegacionit që u takua me shefen e qeverisë gjermane, deklaron se ky takim konfirmoi mbështetjen absolute të Gjermanisë për hapjen e tyre me Shqipërinë.

Ai thotë se

“progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në Reformën në Drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania”.

Reforma në Drejtësi ka qenë edhe një nder prioritetet kyçe të kërkuar nga Bashkimi Europian për këtë proces dhe Gjermania i ka kushtuar një rëndësi të veçantë.

“Vëmendja e vazhdueshme dhe mbështetja që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është vlerësuar në veçanti nga Kryeministri Rama”,

thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë.

Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për Deutsche Welle se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të Majit. Të njëjtat burime nga grupi parlamentar CDU/CSU në Gjermani, i thanë Deutsche Welle se vendimi për negociatat me Shqipërinë do të shtyhen për në Shtator.

Tv Klan