juveJuventus, Basel dhe Monaco janë ekipet që janë kualifikuar pas ndeshjeve të ditës martë. Faza e grupeve në Champions League është në javën e fundit dhe gabimet nuk lejohen më.

Juventus ka shkuar më tej falë barazimit pa gola me Atletico Madrid në takimin e zhvilluar në Torino.

Një ndeshje e vështirë për Juve që e mbyll në vendin e dytë pas Atletico në Grupin A. Olympiakos edhe pse ka mundur me rezultatin 4 – 2 me Malmo është eliminuar nga Champions. Ky ka qenë edhe takimi me më shumë gola i mbrëmjes.

Në Grupin B, Basel ka bërë surprizën duke e barazuar 1 – 1 me Liverpool në Anfield Road. Në këtë takim kanë luajtur edhe lojtarët e Kombëatres tonë Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi, të cilët do t’i shohim edhe në turin tjetër të Champions League. Real Madrid e ka mbyllur me pikë të plota në krye pas fitores 4 – 0 me Ludogorets. Real është i vetmi ekip që ka vetëm fitore në këtë sezon.

Në Grupin C, Monaco është ngjitur në vendin e parë duke mundur 2 – 0 Zenit. Në vendin e dytë është klasfikuar Bayer Levekusen që ka barazuar pa gola me Benfica.

Borussia Dortmund është kualifikuar si e para në Grupin D pas barazimit 1 – 1 me Anderlecht e Besnik Hasit që do të vijojë garën në Europa League.

Arsenal edhe pse ka mundur 4 – 1 Galatasaray në Stamboll është renditur i dyti me pikë të barabarta me Dortmund. Ekipi turk është më i dobëti i kësaj faze të Champions League.

Tv Klan