Spikat përballja e sheikëve, Milan kërkon fitoren e parë në Spanjë

Sfida kryesore e mbrëmjes së sotme në Champions League luhet në Angli, mes Manchester City dhe Paris Saint-Germain. Ky duel pritet të përcaktojë dy skuadrat që do vijojnë më tej rrugën në Ligën e Kampionëve. City numëron 9 pikë në vendin e parë dhe PSG një më pak në vendin e dytë. Në garë për një vend në 1/16-at e turneut është edhe Klub Brugge, që sfidon Lajpzigin. Gjermanët duan të mbajnë gjallë shpresat për të qënë pjesë e kompeticionit tjetër Europian, UEFA Europa League.

Në grupin B, Liverpul e ka siguruar tashmë raundin me eliminim direkt. Deri më tani ka siguruar 4 fitore në po kaq sfida dhe sot ndaj Portos kërkon të ruajë këtë ecuri. Portugezët gjenden në vendin e dytë me 5 pikë dhe vetëm një fitore do i konfirmonte në këtë pozicion. Jo pa shumë interes është edhe sfida tjetër, mes Atletico Madrid dhe Milanit. Kuqezinjtë janë në kërkim të fitores së parë në grup, teksa kundër ka një ekip që kërkon të harrojë dy humbjet e fundit.

Edhe në grupin C, dilema është skuadra që do i bashkohet Ajaksit në raundin tjetër. Holandezët kryesojnë me pikë të plota pas katër fitoreve dhe sfidojnë Beshiktashin, që koleksionon vetëm disfata dhe është praktikisht i eliminuar. Dortmund dhe Sportingu i Lisbonës do duelojnë me njëra-tjetrën për vendin e dytë në grup.

Llogaritë e grupit D janë totalisht të hapura me tre skuadra që janë në lojë për vendin e parë. Real Madrid kryesues sfidon Sherifin e Tiraspolit, me synimin e qartë përveçse fitores, hakmarrjen për humbjen e vetme në grup. Inter do të ruajë ritmin e sfidave të fundit përballë Shaktarit të Donetskit në shtëpi, rezultat që do konfirmonte edhe fatet e zikaltërve në turneun madhor.

Klan News