Champions, Ronaldo “Zot” në shtëpinë e Messi-t



Champions, Ronaldo “Zot” në shtëpinë e Messi-t

12:10 09/12/2020

Kualifikohen Juve, Barça, Chelsea dhe Lazio

Dortmund, Lazio, Chelsea, Sevilla, Juventus, Barcelona, PSG dhe Leipzig siguruan një vend për në fazën tjetër të Champions League. E bujshme fitorja 3-0 e Juventus ndaj Barcelonës në Camp Nou. Kampionët e Italisë kualifikohen si kokë grupi. Në minutën e 13-të, Ronaldo përfiton vetë penallti dhe shënon po vetë. Shtatë minuta më pas McKennie shënon një gol me një lëvizje akrobatike.

Meritë pati edhe Cuadrado me asistin e dhënë. Në 45 minutëshin e parë Lionel Messi mundi të bënte vetëm dy goditje në portë, por priti Buffon. Në të dytën është sërish Juventus që përfiton 11 metërsh falë edhe Videoarbitrit dhe sërish Ronaldo tregohet i saktë. Messi gjuajti edhe 2 herë, por sërish Buffon i tha “jo”.

Dinamo Kiev fitoi 1-0 në shtëpi ndaj Ferencvaros. Uzuni ishte titullar për 74 minuta.

Chelsea dhe Sevilla e kishin siguruar që më parë kualifikimin, përkatësisht si vend i parë dhe i dytë. Blutë e Londrës u ndalën 1-1 në shtëpi nga Krasnodar, ndërsa Sevilla fitoi 1-3 në fushën e francezëve të Rennes.

Leipzig mposhti në shtëpi 3-2 Manchester United dhe mori kreun e grupit provizorisht pasi PSG-Basaksehir është ndalur në minutën e 10-të, për shkak se gjyqtari i katërt iu drejtua me fjalën ‘zezak’ zv/trajnerit të skuadrës turke.

Futbollistët e Istanbul u tërhoqën në dhomat e zhveshjes në shenjë proteste të cilës iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë edhe ata të PSG. Kjo ndeshje do të luhet sot në orën 19:00.

Më herët Dortmund përmbysi 2-1 në Rusi ndaj Zenit dhe zë vendin e parë, ndërsa Lazio barazon 2-2 në shtëpi ndal Club Brugge dhe mjafton për më tej si e dyta në grup.

Tv Klan







Të ngjashme