Aventura e kësaj jave e emisionit “Check In” ishte Gjeorgjia. Autorja e emisionit Albana Nanaj ishte e shoqëruar në këtë udhëtim nga gazetarja Manjola Bregasi dhe së bashku prezantuan atraksionet turistike të Gjeorgjisë.

“Mes Europës dhe Azisë, në këmbët e kaukazëve, me një miksim stilesh dhe kulturash ku vitet kanë lënë gjurmë, Gjeorgjia është një nga 10 destinacionet që e famshmja “Lonely planet” sugjeron për vitin 2018”

, tha Nanaj.

Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë është konsideruar si qyteti i ngjyrave. Aty ku historia dhe aktualiteti kanë gjetur gjuhën e bashkëjetesës ofron qetësi dhe mikpritje sapo shkel mbi të. Me një popullsi prej 3.7 milionë banorësh, ku 1 milion janë të vendosur vetëm në kryeqytet, Tbilisi mund të arrihet në jo më shumë se 4 orë fluturim nga Tirana me një ndalesë në Stamboll. Simboli i themelimit të qytetit është mbreti Gorgasali, gjurmët e të cilit janë kudo, ndërsa legjendat përpiqen t’i japin mister historisë.

“Qyteti ekzistonte që në kohën Neolitike. Legjenda që ne gjeorgjianët e duam shumë tregon se mbreti Gorgasali erdhi një ditë për gjueti, ndoqi falkoin e tij, i cili kapi një fazan. Dhe sfera është simbol i tokës. Dhe kur mbreti erdhi këtu zbuloi ujin që lëshonte erë squfuri dhe vetë emri Tbilisi do të thotë diçka e ngrohtë”,

tregoi Nana, gruaja që iu bënte guidën në Tbilisi.

Tbilisi është i famshëm për banjat termale të sulfurit dhe një tjetër atraksion i Tibilist janë edhe kishat të njohura si Abanotubani.

Një tjetër destinacion i “Check In” në Gjeorgji ishte Uplistsikhe, një atraksion ku mund të gjesh turistë nga e gjithë bota.

Gori, qyteti ku lindi diktatori Stalin ishte një tjetër ndalesë e “Check In”. Ky qytet ruan ende gjurmë të epokës komuniste. Ndryshe nga ngjyrat e gjalla të Tbilisit, aty dominon ngjyra gri.

“Vendasit e shohin si një pikë të dobët të historisë së tyre atashimin me diktatorin Stalin dhe Rusinë Komuniste”,

tha gazetarja Manjola Bregasi.

/tvklan.al