Udhëtimi i Check In në Japoni vazhdon drejt Hiroshimës, për të bërë një hap përpara në historinë tronditëse të këtij qyteti që drithëroi mbarë botën. Hiroshima ndodhet 810 km larg nga Tokio.

Siç të gjithë e dinë, trenat japonezë janë të famshëm në të gjithë botën për efikasitetin dhe përpikmërinë e tyre. Në Japoni ka shumë kompani hekurudhore, por kryesore është Grupi JR që mbulon të gjithë Japoninë. Shinkansen ose “treni plumb i shpejtë” ka marrë këtë emër për shkak të shpejtësisë dhe ngjashmërisë së lokomotivës me formën e një plumbi. Shinkansen janë trenat specialë të hekurudhave japoneze JR që lidhin qytetet kryesore të Japonisë në linja të dedikuara me shpejtësi marramendëse.

 

Treni i parë shinkansen, i linjës Tokaido lidhi qytetet e fuqishme të ekonomisë japoneze, Tokio, Nagoya dhe Osaka, gjatë vitit 1964 viti i Olimpiadës së parë të Tokios.

Që atëherë, rreth 5.6 miliardë njerëz kanë udhëtuar në këtë linjë, e cila është vetëm një nga linjat aktuale shinkansen dhe aktualisht linja me shpejtësi më të lartë e përdorur në botë me 342 trenat e saj dhe 424 mijë pasagjerë në ditë.

“Çmimi i biletës vajtje ardhje Tokio-Hiroshima me ndalesën në Kyoto të përfshirë kushtoi 390 dollar personi”, tha Albana Nanaj, autorja e “Check In”, e cila këtë udhëtim kishte zgjedhur ta ndante me aktorin e humorit Gentian Zenelaj.

6 Gushti i vitit 1945 është aq larg, sa duket vetëm një jehonë e një legjende të frikshme treguar nga gjyshërit. Megjithatë, kur forca ajrore ushtarake amerikane hodhi atë bombë në qytetin e Hiroshimës, në orën 08:15, në fund të luftës mes Japonisë dhe Amerikës, bëri që historia të ndryshonte përgjithmonë. Bombardimi i Hiroshimës dhe Nagasakit shënoi dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe është rasti i parë dhe i vetëm i përdorimit të armëve bërthamore. Që nga ai çast, bindja që i përkasim një specie të egër, vdekjeprurëse, siç është njeriu filloi të përhapet në ndërgjegjen e gjithë botës.

Në hyrje të Parkut të Paqes, dy ndërtesa me fasadë të errët janë bashkuar në mes nga një galeri duke formuar Muzeun e Paqes. Pavarësisht se është një shtyllë mbështetëse e qytetit, ky muze mbetet një provë para se cilës duhet të jesh i përgatitur. Vizita është konceptuar sipas një itinerari kronologjik, fillimisht koleksionet paraqesin zgjerimin e qytetit të Hiroshimës dhe mënyrën se si u bë një fortesë e ushtrisë japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas ndjek pjesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me përpunimin e armës që transformoi historinë e njerëzimit. Nëpërmjet dokumenteve si fotografi, letra, sende të ndryshme, ndiqen gjurmët e ngjarjeve që çuan në bombardim. Gjenden mbi të gjitha, përgjigjet e një pragmatizmi shqetësues, për pyetje si: Pse Hiroshima?

Hiroshima u zgjodh nga amerikanet pasi ishte një bazë e fortë ushtarake e ushtrisë japoneze, brenda dhe përreth saj nuk kishte asnjë kamp me pengje lufte. Nga studimet e tyre ishte llogaritur që ajo bombë mund ta shfaroste të gjithë qytetin.

Hiroshima u rindërtua në vitin 1949 dhe sot është një qytet kozmopolit, që mbart me dinjitet gjurmët e atij fundi dramatik, duke i dhënë udhëtarit që kalon aty një ndjenjë të çuditshme të qetësisë pas një stuhie monstruoze. Gjithçka është kthyer për të jetuar në mënyrë të natyrshme dhe paqja duket se po vazhdon përsëri.

Plani urbanistik aktual i Hiroshimës, megjithëse i përbërë nga gradaçela dhe struktura avangarde, nuk e ka harruar asnjëherë atë që e çoi në shkatërrim, duke bashkëjetuar vetëdijshëm me vendet e tragjedisë bërthamore.

Atje ku bomba atomike ra, në atë epiqendër fatale ndodhet një park i bukur i bërë edhe më i këndshëm nga rrjedha e ujërave të buta të lumit Kyobashi-gawa.

Ndërtesa e quajtur “Kupola e bombës atomike”, është sigurisht simboli më prekës i shkatërrimit të Hiroshimës, ndaj dhe është shpallur Trashëgimi Botërore e UNESKO-s në vitin 1996.

Kioto ishte një tjetër destinacion i “Check In”, i cili ka qenë kryeqyteti i lashtë i Japonisë dhe vendbanimi i perandorit nga viti 794 deri në 1868 dhe ende sot përfaqëson qendrën kulturore dhe historike të Tokës së Diellit. Një qytet që të gjithë duhet ta vizitojnë të paktën një herë në jetë dhe nuk është rastësi që të mbetet kujtimi më i bukur nga Japonia.

Kioto ka qenë një nga qytetet më të populluara të botës. Në Shekullin e XVI ka pasur 500 mijë banorë, ndërsa sot numëron 1 milion e gjysmë banorë. Gjatë shekujve Kioto është shkatërruar nga shumë luftëra dhe zjarre dhe ka mbijetuar gjithnjë. Falë vlerës së jashtëzakonshme historike, qyteti u hoq nga lista e qyteteve të shënjestruar për bombën atomike dhe i shpëtoi shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kyoto ka më shumë se 1600 tempuj budiste dhe 400 shenjtërorë Shinto, 17 prej të cilave janë shpallur vende të Trashëgimisë Botërore nga UNESCO .

Destinacioni i radhës ndodhej 30 minuta me autobus larg qendrës së qytetit. Arashiyama, një zonë periferike e Kiotos, e cila është vlerësuar për pamjen e saj të bukur natyrore dhe atmosferën e qetë. Ajo që e bën më tërheqës këtë vend është një pyll i bukur bambuje, i ndodhur pranë tempullit Teneruyi.

Gion, njohur si lagjja e gejshave konsiderohet si një ndër atraksionet turistike kryesore të Japonisë. Magjepsja e këtyre grave të fshehura në mister, të konsideruara kujdestaret e arteve shekullore tradicionale japoneze është shumë e madhe. Në shoqërinë japoneze roli i gejshës ka një vlerë shumë të ndryshme nga interpretimi i gabuar që është përhapur në vendet perëndimore, ku këto gra shihen si prostituta të klasit të lartë.

Profesioni i gejshës kërkon shumë vite përgatitjesh të mëdha për t’u arsimuar në artet  e shumta fisnike japoneze, mes të cilave këndimi, kërcimet tradicionale, ritualet e ceremonisë së çajit dhe shamisen një instrument muzikor me tre korda. Për të hyrë në Japoni duhet vizë turistike, e cila ka një kosto 3 mije lekë të reja dhe aplikimi bëhet në Ambasadën Japoneze në Tiranë. Fluturimi me ndalesë në Stamboll, Vjenë ose Romë zgjat përafërsisht 12 orë.

Një paketë 8 ditore me qëndrim në Tokyo, Hiroshima dhe Kioto ku përfshihet fluturimi, qëndrimi në hotele ¾ yje dhe bileta e trenit Shinkansen kushton 1600 euro.

Rrjeti hekurudhor japonez JR ofron për të gjithë turistët një abonim 7 ditor që quhet railpass, i cili duhet blerë para nisjes dhe kushton 280 dollar. Duke qenë një vend relativisht i shtrenjtë patjetër duhet një buxhet i mirë për shpenzimet plus në destinacion.

“Largohemi nga Japonia më të pasur se kurrë. Mirësjellja e popullit të saj, shumëllojshmëria e peizazheve të mrekullueshme, tempujve e legjendave, metropoleve futuriste, të gjitha këto kontribuuan që ky udhëtim në tokën e Diellit të jetë unik. Japonia është vendi ku bukuria gjen dimensionin e saj në thjeshtësi”, përfundoi Nanaj./tvklan.al