Emri “Indi” ngjall një sërë imazhesh, gra të mbështjella me sari me ngjyra të ndezura, tempuj që gërvishtin qiellin, hipnotizues gjarpërinjsh, maharajah me pasuri marramendëse, xhungla tropikale, fëmijë të uritur, zengjin që ecin pranë njerëzve të varfër, etj. Në realitet, për të përshkruar një vend aq të madh, plot kontraste, me kaq pak fjalë nuk do te ishte e drejte. India është gjithçka dhe asgjë. Ka shumë epitete që mund t’i atribuohen Indisë, por vetëm një e përshkruan plotësisht atë: “E  paparashikueshme”, si takimi dhe përqasja me një kulturë kaq të ndryshme nga ajo perëndimore.

Territori indian gati 3 milion km2 të provokon imagjinatën, mbushur me atraksione të pafundme historike, kulturore, arkitekturore dhe natyrore. E shtrirë  në jug të Azisë, është vendi i 2-të në botë për nga numri i popullsisë, me 1 miliardë e 365 milionë banorë, me moshë mesatare 27 vjeç dhe me premisën që në dekadën e ardhshme të kalojë në vend të parë duke ia kaluar edhe Kinës.

Emri Indi vjen nga emërtimi i lumit “Indus” nga persët e lashtë. Më pas vjen emri gjeografik “Bharat”. “Hindustan” është emri më domethënës për Indinë dhe indianët,  i prezantuar nga mogulet. Kultura indiane është një nga më të lashtat në botë. Civilizimi në Indi ka lindur rreth 4500 vjet më parë. Shumë burime e cilësojnë atë si kulturën e parë dhe supreme në botë.

Republika e Indisë është e përbërë nga 29 shtete. Gjuhët zyrtare janë Hindi dhe anglishtja, ndërsa popullsia e vendit flet 1 652 dialekte dhe 21 gjuhë që përcaktohen nga kushtetuta e Indisë.

Diversiteti i jashtëzakonshëm në fe, gjuhë dhe kulturë është unik dhe i pakrahasueshëm. Vendi i mrekullive të botës dhe trashëgimive kulturore që të befasojnë. Pjesa më e vizituar dhe më e frekuentuar e Indisë gjigande, është ai që quhet Trekëndëshi i artë, Dehli – Agra dhe Jaipur.

Për të udhëtuar në Indi duhet vizë turistike, për të cilën mund të aplikosh lehtësisht në faqen “Indian visa online”.

/tvklan.al