Japonia, toka e lindjes së diellit, është një mundësi e përkryer për të jetuar një aventurë, duke zbuluar një kulturë të lashtë të harmonizuar në mënyrë të përkryer me një modernizëm futurist. Është një shtet ishullor i shtrirë në lindje të Azisë, me 6852 ishuj ku 4 prej tyre Honshu, Hokkaido, Kyushu dhe Shikoku përbëjnë 97 % të territorit të saj. Shumica e ishujve janë malore dhe vullkanike. Pika më e lartë është mali vullknaik i Fuxhijamës. Japonia me 128 milionë banorë renditet e 10-ta në botë për nga popullsia.

Gjithkush ka vizionin e tij për këtë vend të jashtëzakonshëm, pavarësisht nëse ajo është e lidhur me teknologjinë, spiritualitetin apo edhe karikaturat. Nga çdo këndvështrim, kultura japoneze ka një tërheqje të fortë me Geishat, tempuj budiste, kopshtet Zen, tualete teknologjike, omangat dhe shpirtrat. Një botë e larmishme, e ndryshme nga ajo perëndimore dhe për këtë arsye bëhet edhe më interesante në sytë tanë.

Japonia është e bukur, kudo që të shkosh, nga çdo kënd dhe në çdo periudhë të vitit ajo merr një bukuri që ndryshon në çdo stinë. Nëse kërkoni natyrë të ruajtur mirë atëherë ishujt e saj do ju joshin, nëse udhëtimi juaj është mistik e shpirtëror ka shumë qytete që jua ofrojnë, nëse doni histori Hiroshima e Kyoto ju tregojnë pafund, ndërsa Tokio është sigurisht kryeqyteti i teknologjisë. Në Tokyo një nga rregullat kryesore që s’duhet shkelur është ajo e pirjes së duhanit.

“Tokio është një nga qytetet më të mëdha të botës me 36 milionë banorë, gjithmonë në hap me kohën, kaotike, por e organizuar në mënyrë të përkryer. Gjithçka duket sikur është projektuar deri në detajet më të vogla. Nga rrethet e mbushura me qiellgërvishtëse, në qoshet e qeta, ku mbretëron një heshtje e papritur. Tokio është një qytet që nuk fle, ku ngjyrat e ndritshme të ledeve përzihen me simbolet e traditës japoneze. Nëse New York-u është një mollë, atëherë Tokio është një shegë. Tokio është një nga zonat më të mëdha të urbanizuara në botë, e populluar dendur ku në çdo km katror jetojnë mesatarisht 7 mijë banorë dhe ende jashtëzakonisht e jetueshme, me zona të gjelbra dhe shërbime në perfeksion”, tha Genti.

Vizita e parë e emisionit Check In në Tv Klan e autores Albana Nanaj e cila shoqërohej në këtë udhëtim nga Gentian Zenelaj, fillon me kopshtet e gjelbra të pallatit perandorak.

Pallati i Perandorit në Tokio është sot rezidenca e familjes perandorake. Ajo është e vendosur në qendrën gjeografike të Tokios dhe është e rrethuar nga një park i madh .

Pallati vetë është i mbyllur për publikun dhe nuk mund të vizitohet, vetëm dy ditë në vit është e mundur, më 2 Janar, gjatë përshëndetjes për Vitin e Ri dhe ditën e lindjes së perandorit. Në këto data, vizitorët mund të hyjnë në pallat për të parë anëtarët e familjes perandorake, të cilët përshëndesin publikun nga një ballkon.

Është e mundur të rezervosh një tur udhëzues të ndërtesës, paraprakisht vetëm në faqen zyrtare të Agjencisë së Familjes Perandorake. Gjithsesi aksesi në ambientet e brendshme të pallatit është i pamundur.

Por ajo që e bën të bukur këtë pallat janë kopshtet të cilat e rrethojnë dhe mbi të gjitha ato janë të hapura për publikun gjatë gjithë vitit. Kopshtet shtrihen në një sipërfaqe prej 210,000 metra katrorë.

Japonia është i vetmi vend në botë që ka një perandor në detyrë. Sipas Kushtetutës së Japonisë, Perandori është një figurë simbolike dhe ceremoniale e monarkisë kushtetuese, simboli i kombit japonez dhe unitetit të popullit të saj. Ai është kreu i familjes perandorake të Japonisë. Perandori i tanishëm është Naruhito, i cili u ngjit në fron më 1 Maj 2019 për të zëvendësuar babain e tij 85-vjeçar, perandorin Akihito.

Qyteza Akihabara, e njohur ndryshe si qyteza elektrike e Tokios, është ndoshta një nga zonat me përqëndrimin më të madh të teknologjisë dhe dyqaneve manga në botë. Përgjatë rrugës kryesore të saj, ka një rrjedhë të vazhdueshme turistësh e njerëzish të apasionuar pas elektronikës.

Ambasadori i Shqipërisë në Japoni, Gjergji Teneqexhi mundësoi vizitën e Check In në një shkollë 9-vjeçare të Tokyos, në “Harumi junior high school”.

Klasat në shkollën fillore në Japoni janë me 40 nxënës dhe nuk ka ngelje nga klasa e parë deri në klasën e tetë, pasi qëllimi në këtë periudhë është edukimi, ngulitja e koncepteve dhe formimi i personalitetit.

Çdo shkollë ka mensën e saj, ndërsa në shkollat fillore, ora e ushqimit është gjithashtu një orë mësimi ku fëmijëve u mësohen bazat e të ushqyerit dhe rëndësia e ushqimit. Në shkollë ka shumë aktivitete jashtëshkollore, në të cilat të gjithë nxënësit marrin pjesë pas mësimit. Ka kurse sportive, muzike, pikture, kopshtari, gatim, teknologji informacioni dhe shumë të tjera.

Shkolla brenda ambienteve të saj bën kontrollin e plotë shëndetësor të nxënësve. Nxënësit dhe mësuesit janë përgjegjës për pastrimin e shkollës së tyre. Në Japoni nuk ekzistojnë pastruesit në shkolla.

Shkollat japoneze janë të njohura për rigorozitetin e tyre. Respektimi me përpikmëri i rregullave të shkollës vlerësohet me notë dhe është vlerë e shtuar e diplomës. Rregullat e forta dhe përpikmëria mësohen që në shkollë e respektohen gjatë  gjithë jetës për japonezët./tvklan.al