Udhëtimi në Peru është një përvojë e paharrueshme një vend që duket sikur rri pezull mes qiellit dhe tokës. Duke përshkuar vargmalin e Andeve ke ndjesinë sikur prek me gisht majat e larta të mbuluara nga akullnajat shumëvjeçare. Falë alkimisë së peizazheve të saj befasuese, qyteteve me aromë koloniale dhe padyshim siteve arkeologjike unike në botë, historisë së kulturave antike si dhe kuzhinës së rafinuar, Peruja është një vend që duhet vizituar!

Një udhëtim nuk është i mjaftueshëm për të zbuluar të gjitha mrekullitë që Peruja ofron. Dhe Peruja është nga ato vende që meriton muaj eksplorimi. Në disa ditë “Check In” preku vetëm disa nga pikat kryesore te vendit, që është e pamundur të mos i vizitosh gjatë qëndrimit në shtetin amerikano jugor. Peruanët, krenarë për kulturën e tyre, përpiqen t’i përcjellin çdo vizitori traditat e tyre në lidhje me kultin e tokës ame. E njohur për qytetërimin më të vjetër të Amerikës deri në perandorinë më të madhe dhe më të fuqishme në jug të kontinentit, Peru është dhe një nga 10 vendet me biodiversitetin më të lartë në botë, ku marrin frymë qindra mijëra hektarë pyje të Amazonës zona ende të virgjëra, me peizazhe natyrore mitike, gjithnjë plot jetë.

Në itineraret turistike, Peruja njihet në të gjithë botën për Machu Picchun e mrekullueshëm, si dhe për shtigjet e famshme të Inkasve, por pikënisja e  udhëtimit tonë është kryeqyteti Lima. Lima është qyteti më i madh në Peru dhe konsiderohet si kombinimi më i mirë i modernitetit dhe traditës. E vendosur në bregdetin qendror-perëndimor të Perusë, me pamje nga Oqeani Paqësor. Lima është një qytet në rritje me më shumë se 10 milionë banorë dhe është qendra industriale, financiare e Perusë si dhe një pikë e theksuar historiko e kulturore e saj. Për të njohur më mirë Limën i drejtohemi zonës koloniale, e cila është dhe qendra historike e qytetit. Qendra historike e Limës është dëshmi e kolonizimit spanjoll. Lima u themelua nga Francesco Pizarro në 1535 me emrin “Qyteti i Mbretit” dhe mori strukturën arkitekturore të qyteteve dhe pallateve spanjolle. Duke ecur nëpër rrugë, drejt qendrës hasim  ndërtesa të ndryshme nga ato koloniale në ato neoklasike siç është dhe Pallati i Drejtësisë dhe muzeu i artit italian ndërtime që i përkasin shekullit të kaluar.

Identiteti Peruan është një identitet i pasur dhe i larmishëm me rrënjë Ande dhe me një ndikim të fortë të huaj ku origjina e hershme vendase  u ndesh me frymën pushtuese të spanjollëve. Në këtë bashkim u shtuan dhe elemente të tjerë si fryma dhe vlerat orientale, gëzimi dhe puna e ashpër afrikane, jeta dhe zakonet italiane, frënge, japoneze e gjermane. Pas 2 ditësh në Lima, udhëtimi i “Check In” vazhdon drejt një zone të Perusë që mund të quhet dhe tërheqja më e rëndësishme e turizmit në Peru. Lugina e Shenjtë e Inkasve. Pranë Cuscos, kryeqytetit të Perandorisë Inkase dhe sitit arkeologjik të Machu Picchu shtrihet Lugina e Shenjtë, e cila është lugina e lumit Urubamba në Andet peruane. Kjo luginë ishte zemra e perandorisë Incase.

Lugina në përgjithësi përfshin territorin midis Calca dhe Lamay, Písac dhe Ollantaytambo dhe u formua nga lumi Urubamba, i njohur gjithashtu si lumi Wilcamayu në Keçua, gjuha që flitet në të gjithë perandorinë, dhe do të thotë Lumi i Shenjtë. Rrjedha ujore ushqehet nga degët e shumta që zbresin nëpër luginat dhe grykat ngjitur dhe përmban shumë mbetje arkeologjike dhe fshatra.

Zona dhe qyteti Urubamba janë shumë të njohura nga turistët. Muajt ​​më të mirë për të vizituar Luginën e Shenjtë janë ato që zgjasin nga Maji deri në Tetor, që përkojnë me sezonin e thatë. Gjatë kësaj kohe të vitit klima është me temperature pranverore dhe qielli ngjyroset çdo ditë me një ngjyrë blu të fortë. Zgjimi në këtë vend është një tjetër mrekulli plot diell, natyrë të magjishme të shoqëruara nga një mëngjes i shijshëm në restorantin e hotelit. Ndodhemi në 2900 metra lartësi dhe na duhet të ambientohemi pak me ajrin këtu./tvklan.al