Këtë fundjavë, Check-In në Tv Klan është ndalur në një vend ku kultura i ka rrënjët e thella, ku arti ka sfiduar sundimet e njëpasnjëshme e ku trashëgimia shekullore mirëpret heshtur, pa shumë bujë turistë nga e gjithë bota. Kjo është Letonia… dhe Check-In tonë e fillojmë pikërisht nga kryeqyteti i saj Riga.

E vendosur në detin Baltik, Riga është një nga qytetet më avangardë në Evropën Veriore që duhet të vizituar për bukuritë e saj kulturore që janë dhe pika e saj më e fortë.

Historia e këtij mozaiku të lashtë e misterioz arti, që sot mban emrin “Riga” nis në vitin 1201, kur peshkopi i ardhur nga Bremeni i Gjermanisë, Albert von Buxthoeven vendosi të krijonte një qytet, i cili nuk do të ngatërrohej kurrë me asnjë vend tjetër në Evropë. 

Riga e Vjetër është dhe qendra historike e qytetit, e njohur si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ku mblidhet një pjesë e jashtëzakonshme e gjithë trashëgimisë kulturore të popullit letonez.

E famshme, kryesisht për katedralet e saj me kulla të larta, sheshet e vogla, arkitekturën e vjetër, e rrugët e ngushta me kalldrëm, ku dyqanet, kafenetë, baret dhe restorantet i qëndrojnë besnik magjisë së kryeqendrës baltike.

Falë pozicionit të saj strategjik për shumë shekuj ka qenë e sunduar prej fuqive botërore, nga gjermanët, rusët ,polakët e suedezet… por asnjëri prej tyre nuk arriti ta gjunjëzonte, por duket se krijuan një perandori arti, me objekte që pasqyrojnë dukshëm larminë e stileve arkitekturore.

Nëse Rigën do ta quanim muze arti në çdo centimetër të saj, nuk do ishte e tepërt. Historia këtu është e skalitur në objekte që tërheqin vëmendjen në çdo hap.

Riga është një zbulim i vërtetë për këdo që e viziton.. Periudha e verës është më e përshtatshmja për ta vizituar atë, por dhe ndërrimi i viteve nuk duhet humbur.

Suvenirët, veshjet e punuara me dorë, prodhimet tradicionale, ëmbëlsirat apo vera e ngrohtë janë vetëm një pjesë e asaj çfarë shërbehet nga vendasit, disa prej të cilëve, me kostumet karakteristike, të kujtojnë në çdo moment se ndodhesh në Riga.

Është e pamundur t’u rezistosh gatimeve tradicionale në tezgat e vendosura aq bukur në Sheshin e Katedrales/Dome Square.

Të vendosësh të jetosh në Letoni nuk duhet të jetë aspak e vështirë, me çdo gjë që ajo të ofron. Duket sikur edhe ajri që thith ka një bekim hyjnor. Por as kjo nuk është rastësore.  Mbi 50 % e territorit të Letonisë mbulohet nga pyjet, të përbërë kryesisht nga  pishat bredhat dhe plepat.

Letonia dhe kryesisht kryeqyteti i saj Riga mund të vizitohet në një fundjave 3-4 ditore, por mund t’i bashkangjitet dhe turit që quhet tre kryeqytetet e Baltikut, Tallin, Villnius e Riga. /tvklan.al