Nëse do kishte një klasifikim se cili do ishte qyteti më i bukur në prag të festave të fundvitit, me siguri Vjena do të triumfonte gjithnjë.

Vjena aristokrate dhe moderne ka bërë realitet gjithçka që ne kemi ëndërruar dhe kemi imagjinuar për atmosferen e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Nëse zgjidhni kryeqytetin austriak si një destinacion për udhëtimin tuaj të ardhshëm, është e sigurt se nuk do të zhgënjeheni dhe në të vërtetë, pasi ta zbuloni, kurrë nuk do të jetë mjaftueshëm.

I konsideruar si vendi më i mirë për të jetuar në të gjithë botën, kryeqyteti i Austrisë, Vjena nuk mund t’i mungonte itinerareve të emisionit Check In, të autores Albana Nanaj.

Rreth 3 milionë njerëz në vit vizitojnë kishën më të famshme të qytetit, Katedralen e Shën Stefanit, ndërtuar në shekullin e XII-të. Ajo ka 13 këmbana në kullën më të lartë, që arrihet pas 434 shkallësh. Kompozitorët Joseph Haydn dhe Moxart kanë punuar të dy në këtë kishë.

Një qytet me 1 milionë e 800 mijë banorë, në zemër të Europës Qendrore, Vjena është konsideruar si qyteti me cilësinë më të mirë të jetës në planet, pas Merlburnit të Australisë. Kjo cilësi jete reflektohet edhe në parashikimet e jetëgjatësisë së banorëve të Vjenës, që është llogaritur të jetë 89 vjeç për gratë dhe për burrat 85 vjeç deri në 2050, ndërkohë që mesatarja botërore është 71 vjeç dhe ajo kombëtare 81 vjeç.

Historia e Vjenës nis në kohën kur Perandoria Romake krijoi një kamp ushtarak në zonën ku sot gjendet qendra e qytetit. Prej aty, Vjena u rrit nga një vendbanim romak me emrin Vindobona, në një zonë tregtare të rëndësishme në shekullin e XI-të. Emri Vindobona rrjedh nga një gjuhë kelte, duke ngritur hipotezën që qyteti mund të ketë qenë banuar para romakëve nga popullsi kelte. Romakët qëndruan aty deri në shekullin e V. Vjena u bë kryeqyteti i dinastisë Babenberg dhe më pas i Habsburgëve, nën qeverisjen e të cilëve u kthye në një nga qendrat e rëndësishme të kulturës europiane.

Lumi që përshkon qytetin është gjithashtu simbol i Vjenës. Danubi blu frymëzoi edhe Shtrausin për veprën e tij të famshme me të njëjtin emër, më 1866 dhe që konsiderohet sot si himni jozyrtar i Austrisë.

Lumi i dytë më i gjatë në Europë përshkon 2,850 kilometra derisa arrin në Detin e Zi.

“Qyteti magjik perandorak në këtë periudhë të vitit mbështillet me një mantel të çmuar. Këtë herë nuk është bërë nga bora e bardhë, por nga dritat, zbukurimet dhe kurora e Krishtlindjes. Nga data 17 Nëntor deri më 26 Dhjetor, Vjena hap dyert e tregjeve të Krishtlindjes, të cilët janë vendosur në sheshet më të rëndësishëm të qytetit”,

tha Nanaj.

Pak e dinë që edhe globi i dëborës prej xhami u shpik në Austri, më 1900, kur një ndreqës i instrumenteve muzikore, Erwin Perzy, po përpiqej të përmirësonte dritën e llampës. Ai shtoi ujë dhe flokë niseshteje me shpresën se drita do të shkëlqente më shumë, por kjo nuk ndodhi.

Efekti ishte befasues. 5 vjet më vonë, Perzi filloi prodhimin masiv të globeve të borës me kompaninë që mban emrin

“Original Vienna Snow Globes”

. I drejtuar nga stërnipi i tij, familja ka prodhuar globe të personalizuar për Bill Clinton, Ronald Reagan dhe vajzat e ish-Presidentit Obama.

Të apasionuarit pas historisë mund të përmbushin shumë nga kuriozitetet e tyre në Vjenë, e cila shquhet për numrin e madh të muzeumeve. Veçantia e Vjenës është që muzeumet janë të përqëndruara në një zonë të veçantë të quajtur Lagjia e Muzeumeve.

Vjena ofron dhe argëtim, veçanërisht për vizitorët e vegjël.

Parku i argëtimit Prater ndodhet në qendër të qytetit dhe gjëja kryesore që të bie në sy është Karuseli që nuk ndalet gjatë gjithë vitit. Kushdo që shkon Vjenë nuk mund të humbasë sigurisht muzikën, një përbërës kyç prej së cilës nuk heq dorë.

Djali nga Salzburgu, Moxart, zbarkoi në Vjenë pikërisht më 24 Dhjetor 1781 në një konkurs para perandorit. Ishte vendimi i tij për të qëndruar në Vjenë, pas turneve që kishte bërë në Europë.

Teatri i Operas mban të gdhendur në tokë pllakat me emrat e disa prej kompozitorëve më të shquar të botës. Koncerti Vjenës filloi në vitin 1838, por jo me muzikën nga familja Shtraus. Kërkesa për bileta në Vjenë është kaq e lartë saqë njerëzit duhet të regjistrohen një vit përpara në mënyrë që të marrin pjesë në tërheqjen e biletave për vitin e ardhshëm.

Po ashtu, për austriakët kafja është më shumë sesa konsumimi i kafeinës. Është pjesë e trashëgimisë së tyre, në fakt kafeteritë e Vjenës, të cilat datojnë që në shekulin e XVII, që prej vitit 2011 janë vendosur në listën e transhëgimve kulturore të UNESCO-s.

Kushdo që viziton Vjenën, qoftë për herë të parë, apo edhe për herë të 10-të, nuk ngopet me këtë qytet. Vjena është një destinacion që bëhet në çdo kohë, por kush e viziton në Dhjetor merr me vete atmosferën e papërsëritshme festive të fundvitit.

/tvklan.al