Kroacia, ose perla e Adriatikut, është një destinacion i paimagjinueshëm për ata që kërkojnë një përvojë unike. Është destinacioni ideal për një udhëtim me makinë. Një territor me bukuri të jashtëzakonshme, falë edhe dhjetë vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.  5835  km katror bregdet me mbi 1200 ishuj e shkëmbinj nënujor e bëjnë bregdetin kroat të renditet i dyti në Evropë pas Norvegjisë për relievin e thyer.

Plot tetë parqe kombëtare madhështore, të konsideruara ndër më të ruajturat në Evropë, një histori dhe kulturë e pasur në të cilën kanë lënë gjurmët e tyre ilirët, grekët, romakët, venedikasit e austro-hungarezët. Të gjitha këto aspekte kanë bërë që Kroacia gjatë viteve të fundit të jetë një prej vendeve me të lakmuar për turistët nga e gjithë bota.

Kroacia ka qenë një nga republikat e ish-Jugosllavisë deri në vitin 1991 dhe nga viti 2013 është anëtare e Bashkimit Evropian. Është Republikë Parlamentare me një popullsi rreth 4,2 milionë banorë ku 91% janë kroatë dhe gjuha zyrtare është kroatishtja. Kryeqyteti si dhe qyteti më i madh i saj është Zagrebi.

E pozicionuar në Evropën Juglindore buzë detit Adriatik, në perëndim të gadishullit ballkanik, Kroacia ndahet në 4 rajone historike dhe natyrore. Kroacia, Dalmacia, Slavonia dhe Istria. Emisioni “Check In” në Tv Klan me autore Albana Nanajn, ka zgjedhur fillimisht të vizitojë Dalmacinë, rajon i cili jo vetëm ndodhet afër nesh, por dhe në shumë qytete dhe qyteza gjenden gjurmë të historisë tonë që në kohën e ilirëve.

Dalmacia është një nga destinacionet më të kërkuara të Evropës falë bregdetit spektakolar të rrethuar nga vreshtat, plantacionet e vajit të ullirit, bukuritë natyrore dhe detin Adriatik kristal të qartë. Dëshmitë e ndikimit romak dhe venecian mund të shihen në qytetet bregdetare të pasura me histori, arkitekturë mesjetare, ishuj dhe plazhe, zhytje në rang botëror, perëndime mahnitëse, kuzhinë të shijshme dhe verëra rajonale.

Qyteti i Dubrovnikut është po ashtu një monument i gjallë, me një trashëgimi të pasur kulturore. Sipas legjendës, prejardhja e Dubrovnikut është e lidhur me rrënojat e qytetit antik Epidaurus, të lokalizuar në zonën e Cavtatit të sotëm.

“Dy ditë për të vizituar Dubrovnikun janë ideale. Qendra historike është një margaritar i vogël i Adriatikut dhe për ata që e duan udhëtimin kulturor, duke kaluar nëpër rrugicat e tij është një kurë e vërtetë. Për të vizituar muret e qytetit të vjetër ju duhet të blini një biletë hyrje e cila kushton 200 kuna ose 29 Euro”,

tha Nanaj.

Dubrovniku vizitohet nga 1.3 milionë turistë në vit që vijnë nga e gjithë bota.

Kroacia njihet për parqet natyrore më të ruajturat në Evropë, një prej tyre është Parku Kombëtar i liqeneve Plitvica. Ky park është më i vjetri dhe më i madhi në Republikën e Kroacisë. I përbërë nga 16 liqene natyralë me ngjyrë blu turkese, të cilat janë zhvilluar përgjatë kohës nga rrjedha e ujit mbi gurin gëlqeror.

Në vitin 1979, Liqenet e Plitvicës u bënë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për shkak të pamjeve të mahnitshme, faunës dhe ujërave me ngjyrë unike.

Liqenet e Plitvicës janë një destinacion i frekuentuar gjatë gjithë vitit, por Pranvera dhe Vjeshta janë koha më e mirë për t’u vizituar.

“Mënyra më e mirë për të zbuluar bregdetin dalmat është udhëtimi me makinë në mënyrë që të keni mundësinë të ndaloni përgjatë rrugës, sepse Kroacia ju mirëpret në çdo port, qytezë, rrugicë apo vresht…”,

shtoi Nanaj.

/tvklan.al