Check In viziton “Taj Mahalin”, ikonën arkitekturore të Indisë (Video)


Check In viziton “Taj Mahalin”, ikonën arkitekturore të Indisë (Video)

17:35 04/05/2019

Udhëtimi ideal për të njohur Indinë dhe historinë e saj është “Trekëndëshi i artë”, Dehli, Agra dhe Jaipur.

Ndalesa e dytë e emisionit Check In në Tv Klan gjatë udhëtimit në Indi ishte qyteti i Agres. Një qytet i shtrirë në brigjet e lumit Yamuna, në veri të shtetit më të madh indian për nga popullsia, Uttar Pradesh.

Emri Agra vjen nga fjala e vjetër “Agrevaṇa” që në sankritisht do të thotë “kufiri i pyllit”. Nisi të jetë një qendër e rëndësishme administrative në fillim të Shekullit  XV, nga dinastia Lodi, kur sulltani Sikandar Lodi vendosi ta zhvendosë kryeqytetin e perandorisë së tij, nga Delhi në Agra.

Epoka e artë e qytetit nis në 1556 si kryeqytet i erës së mogulëve deri në 1648. Gjatë perandorisë mogule, Agra u shndërrua në një nga qytetet më të rëndësishëm indianë, me ndërtimin e disa kryeveprave arkitekturore, duke e shndërruar sot këtë qytet në një nga më të vizituarit në botë.

 

Vizita e parë në Agra fillon me një nga kryeveprat e artit botëror, ikona e Indisë, Taj Mahali. I shtrirë në një sipërfaqe prej 17 ha, Taj Mahali është një mazoleum që krekoset madhështor me hijeshinë e vet që sfidon dhe ndryshon ngjyrë gjatë ditës. Një mrekulli e gjithësisë , e adhuruar dhe e vizituar nga më shumë se 8 milionë turistë në vit.

Ndërtimet e kësaj kryevepre nisën në 1632, me urdhër të perandorit të 5-të mogul, Shah Jahan.

Taj Mahal do të thotë “Kurora e pallatit”, u mendua për herë të parë gjatë vuajtjeve të një lindjeje vdekjeprurëse të gruas së tretë të perandorit, e preferuara e haremit, në moshën 38-vjeçare ishte në agoni duke përjetuar vuajtjet e lindjes së fëmijës së 14-të. Pranë shtratit ndodhej bashkëshorti i saj, Shah Jahan, i cili i premtoi se nuk do të martohej më kurrë dhe se do t‘i ndërtonte asaj një varr gjigand, i cili do të ishte dëshmia e përjetshme e dashurisë së tyre.

Shah Jahan dedikoi të gjitha energjitë e tij për të mbajtur premtimin e dhënë, mblodhi të gjithë pasurinë e tij dhe arkitektët më të mirë nga tre kontinente. Për të ndërtuar Taj Mahalin u deshën 21 vite nga 1632-1653, 12 mijë tonelata gurë dhe mermer të bardhë të transportuar nga distanca marramendëse me më shumë se 1 mijë elefantë nga të katër anët e Indisë dhe Azisë.

Taj Mahali kushtoi 32 milionë rupi të asaj kohe, shumë e cila sipas konvertimit të 2015-ës, do të thotë rreth 827 milionë Dollarë amerikanë. Një monument i shpallur si trashëgimi kulturore nga UNESCO në 1983 dhe si “xhevahiri” i artit mysliman në Indi.

Shah Jahan pasi përfundoi Taj Mahalin, donte të ndërtonte edhe një tjetër tempull identik si i gruas, por që të ishte i tëri me mermer të zi. Ky tempull do të ishte varri i tij pas vdekjes, por ai mauzoleum nuk u ndërtua kurrë sepse Shah Jahan u burgos për 8 vite nga djali i tij Aurangzeb, i cili mendonte se ndërtimi i një varri tjetër si Taj Mahali do të sillte shkatërrimin ekonomik të perandorisë.

Një tjetër trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO është edhe Agra Fort, i njohur ndryshe si qyteti me mure.

Brenda tij mahnitesh nga ndërtesat e shumta me gurë ranor të kuq dhe mermer të bardhë. Me një sipërfaqe prej 380,000 m2, vetëm 30% e kalasë është e vizitueshme për publikun.

Sipas të dhënave historike në këtë qytet-fortesë në fillim kanë qenë ndërtuar rreth 500 ndërtesa shumë të bukura.

/tvklan.al




Të ngjashme