Përveç sfilatave magjepsëse dhe shpesh joreale, Java e Modës në Paris shquhet për stilin e saj elegant dhe të sofistikuar të rrugës, por edhe paraqitjet mbresëlënëse të të famshmëve tanë të preferuar në rreshtin e parë të spektaklit.

Në kryeqytetin francez janë mbledhur të famshëm nga çdo cep i globit për të parë nga afër propozimet e stilistëve për sezonin Pranverë/Verë 2023. Në listën e të ftuarve magjepsës dhe dizajnerave të shtëpive luksoze, marrin pjesë emra nga Kate Moss, Zoe Kravitz, Hailey Bieber dhe Maggie Gyllenhaal.

Sipërmarrësja dhe blogerja italiane, Chiara Ferragni, është gjithashtu prezente për të ndjekur shfaqjet dhe prezantimet e stilistëve të saj të preferuar, duke veshur natyrshëm pjesët e tyre firmato. Sipas postimeve të saj në Instagram, Chiara shfaqi një sërë pamjesh që kombinojnë disa nga tendencat më të mëdha të sezonit.

Programi filloi me Dior dhe Chiara u shfaq me një veshje total black. Lëkura dhe dantella ishin dy elementët kryesorë të look-ut të saj, të cilin e plotësoi me një smokey eye dhe një çantë Dior Saddle me një model barok. Ferragni ka provokuar duke mbuluar pjesën e gjoksit me kopsa, poshtë bluzës transparente.

Klan News