Christian Dior me veshje japoneze



Christian Dior me veshje japoneze

09:05 01/10/2020

Për pranverën e vitit 2021 sugjeron kimono dhe funde të gjata

Christian Dior hapi siparin e Javës së Modës në Paris, nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë Covid-19. Ishte parashikuar për t’u prezantuar online, por drejtuesit e kësaj shtëpie mode deklaruan se humbjet do të ishin edhe më të mëdha. Të pranishmit ishin të gjithë me maska në fytyrë dhe në hyrje të gjithëve iu matej temperatura. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku 1000 persona marrin pjesë për të parë sfilatën, këtë herë rritja e rasteve në Francë ka bërë që vetëm 300 prej tyre mund të ta shikonin atë.

Xhaketat klasike, fustanet deri në fund të këmbëve të stilit gotik, ngjyrat e tokës, si dhe veshja tipike japoneze Kimono ishin kryefjala e këtij koleksioni Pranverë-Verë 2021.

Veshjet e gjera dominuan më së shumti, ku pantallonat me vija, me lule si dhe me ngjyra të errëta ishin tendenca kryesore. Kishte po ashtu edhe një përzierje të materialeve, përfshirë pëlhura indoneziane si dhe mëndafsh apo edhe lëkurë.

Gjatë sfilatës teksa koleksioni prezantohej, një grua që mbante një banderolë ku shkruhej “Ne jemi të gjithë viktima të modës” doli në pasarelë duke ecur qetësisht, saqë në fillim u duk se ishte pjesë e ngjarjes.

Protestuesja po vepronte në emër të Extinction Rebellion, një lëvizje aktiviste që synon të nxjerrë në pah rreziqet që paraqiten nga ndryshimi i klimës. Akti kishte për qëllim të denonconte ndikimin e industrisë së modës në mjedis dhe shoqëri.

Kriza Covid-19 gjithashtu ka ndikuar në këtë koleksion dhe stilistja Maria Grazia Chiuri, u shpreh se fokusi i këtyre veshjeve ka të bëjë me situatën që e gjithë bota po kalon. Java e modës në Paris, do të zgjasë deri më 6 Tetor dhe do të ndërthuret edhe me prezantime në mënyrë virtuale.

Klan Plus





Të ngjashme