CIA akuzon Princin e Arabisë Saudite për eliminimin e gazetarit

CIA akuzon Princin e Arabisë Saudite për eliminimin e gazetarit

08:43 17/11/2018

CIA beson se Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Sipas burimeve të mediave amerikane pranë CIA, thuhet se agjencia ka bërë një vlerësim të detajuar të provave.

Zyrtarët amerikanë mendojnë se një operacion i tillë do të kishtë nevojë për miratimin e Princit. Këto pretendime Arabia Saudite i ka konsideruar të pavërteta dhe këmbënguli se Mohammed bin Salman nuk dinte asgjë për planin e vrasjes. Gazetari saudit u vra në Konsullatën e Arabisë në Turqi më 2 Tetor. Trupi i tij ende nuk është gjetur. Turqia këmbënbul se urdhri për vrasjen erdhi nga nivelet më të larta. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë komentuar këto përfundime të CIA-s, por thonë se janë në dijeni të raportit.

Washington Post, gazeta amerika ku Khashoggi ka punuar si analist, shkruan se pretendimet e CIA bazohen në një telefonatë që vëllai i Princit Mohammed bin Salman ka bërë me ambasadorin saudit në SHBA. Mediat amerikane, duke iu referuar burimeve të CIA, shkruajnë se nuk ka asnjë provë të vetme që ta lidhin Princin saudit me vrasjen e gazetarit Khashoggi, por ata theksojnë se një operacion i tillë madhor kishte nevojë për aprovimin e tij.

Prokurori publik në Arabinë Saudite deklaroi pak ditë më parë se Khashoggi u vra me një injeksion vdekjeprurës dhe trupi i tij u shpërbë. Hetimet vazhdojnë ende për të gjetur mbetjet e trupit. Njëmbëdhjetë persona janë akuzuar nga Arabia si përgjegjës për këtë krim. Për pesë prej tyre është kërkuar dënim me vdekje. Prokurori nuk bëri publik emrin e asnjërit prej të akuzuarve për vrasje.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT