Koreja e Veriut vijon procesin e pasurimit të uraniumit për prodhim të armëve bërthamore. Lajmi bëhet publik nga NBC, që citon CIA-n dhe të tjera agjenci të inteligjencës amerikane.

Sipas këtyre burimeve, Peniani nuk e ka ndalur asnjëherë pasurimin e arsenalit bërthamor, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes Donald Trump dhe Kim Jong-Un për denuklearizim, gjatë takimit të 12 Qershorit në Singapor.

Vendi komunist po përpiqet të marrë sa më shumë lehtësira në dialogun me Shtetet e Bashkuara, por në të njëjtën kohë po zhvillon në mënyrë tepër të fshehtë programin bërthamor, shkruajnë mediat amerikane.

Pas përfundimit të samitit historik mes dy liderëve, presidenti Donald Trump siguroi se Koreja e Veriut nuk përbën më një rrezik global.

Megjithatë ekspertët ushtarakë vazhdimisht ngrenë alarmin se vendi komunist duhet të mbahet nën vëzhgim, pasi siç thonë ata, një lideri si Kim Jog-Un nuk mund t’i zësh besë.

Tv Klan