Në Durrës dhe Vlorë ndërpritet lundrimi detar për shkak të erës së fortë

Reshje të dendura shiu kanë përfshirë pothuajse gjithë vendin. Stuhia “Ciarian” e cika ka goditur një pjesë të madhe të Europës ka prekur edhe vendin tonë duke shkaktuar problematika në disa qytete.

Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë dhe reshje të dendura shiu duke sjellë përmbytje të disa akseve si dhe ka vështirësuar  lëvizjen e automjeteve.

Në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”, si pasojë e reshjeve, është shkëputur një objekt dhe ka dëmtuar në kokë 37 vjeçarin, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore  i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Lumi Lana ka patur rritje të nivelit për shkak të intesitetit të reshjeve, dhe ka dalë nga shtrati në afësi të “Pallatit me Shigjeta” duke shkaktuar përmbytje të Unazës.

Një pemë është thyer në afërsi të zonës së Kinostudios tek rruga Ura, duke bllokuar qarkullimin.

Kryebashkiaku Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka thënë se situata pritet të jetë problematike për shkak të stuhisë “Ciaran”, por të gjitha grupet e emergjencës janë në terren për çdo situatë.

“Tregoni kujdes në 24 orët në vijim dhe ulni lëvizjet e panevojshme gjersa situata të normalizohet! Ekipet tona janë aktualisht në terren për çdo emergjencë.”-shkruan Veliaj.

Edhe qyteti i Durrësit është përfshirë nga moti i keq shoqëruar me erë dhe reshje të dendura shiu.

Për pasojë  disa rrugë janë bërë të pakalueshme për këmbësoret dhe automjetet. Zonat më problematike janë lagjet pranë stadiumit “Niko Dovana” dhe rruga që lidh shëtitoren Taulantia me pjesën tjetër të qytetit.

Në port për shkak të erës së fortë është ndërprerë puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit të mallrave, si dhe është urdhëruar ndalimi i lundrimit për mjetet e vogla lundruese e peshkarexhat, deri në një njoftim të dytë.

 Lundrimi është ndërprerë edhe në qytetin e Vlorës për shkak të erës së fortë. Stuhia e fortë e erës ka sjellë dëm edhe në Shkodër.

Një pemë është rrëzuar në qendër të Shkodrës duke dëmtuar mjetet e parkuara. Punonjësit e bashkisë janë në terren.

Klan News