Sulmuesi: Të presim rezultat edhe me Kombëtaren

Sokol Cikalleshi është rikthyer te goli në kampionatin turk. Me paraqitjen në ndeshjen e fundit i solli fitoren me përmbysje Konyaspor, 3 – 2 në fushën e Malatyaspor.

“Edhe kur nuk ka shënuar jam munduar të bëj maksimumin për ekipin dhe besoja që në një moment të caktuar golat do vinin”.

Cikalleshi thotë në një intervistë për TV Klan se golat po shënohen nga lojtarë të të gjithë pozicioneve në shumë liga të botës. Sipas tij kjo strategji sjell me rezultat dhe këtë e shikon edhe në Superligën e Shqipërisë.

“Golat janë shpërndarë dhe te mesfushorët apo lojtarët e krahut po ashtu edhe në Shqipëri”.

Sokol Cikalleshi ishte shënuesi më i mirë i Kombëtares në sezonin e fundit të Ligës së Kombeve me 4 gola. Ai mendon se duke parë edhe paraqitjen në këtë aktivitet pret rezultate edhe në kualifikueset e Botërorit që nisin në fund të muajit mars.

“Nuk është e lehtë duhet një sforco për ta fituar, pasi kemi eksperienca të këqija me Andorrën urojmë të marrim 3 pikët. Me Anglinë kualitetet dihen, por ne do të japim maksimumin në luftën sportive”.

Shqipëria ka në grup edhe Poloninë, Hungarinë dhe San Marinon.

Tv Klan