Sulmuesi i Koniasporit realizoi në fund të takimit golin e fitores kundër Sivasporit

Sokol Cikalleshi ishte protagonist në takimin e javës së parë që Koniasporti luajti në Super Ligën turke në transfertë kundër Sivasport.

Sulmuesi i Shqipërisë realizoi golin e fitores në minutën e 88, pas një gabimi të mbrojtjes. Ai tribloi portierin Vural dhe realizoi duke i dhënë tri pikë me shumë rëndësi skuadrës turke. Në fushë për Koniasporin ishin edhe dy shqiptarët e tjerë Endri Çekisçi dhe Zymer Bytyqi.

Përveç gëzimit të dhënies së fitores në fund të sfidës, tifozët e ekipit turk janë lumturuar nga një tjetër veprim i lojtarit kuqezi. Sulmuesi 31-vjeçar në intervistën e dhënë pas ndeshjes habiti jo pak, kur tha se këtë herë nuk kishte nevojë për përkthyes, por do të fliste vetë në turqisht.

Cikalleshi ka gjashtë vite që është bërë pjesë e futbollit turk dhe tashmë nuk ka probleme me zotërimin e gjuhës. Ai u shpreh se ka shumë rëndësi kur kampionati nis me fitore, por paralajmëroi se sezoni do të jetë i gjatë dhe rivaliteti i fortë në Super Ligën turke.

Klan News