Veliaj: Sfida jonë të pajisim gjithë kryeqytetin me korsi biçikletash

Promovimi i çiklizmit, sidomos nga grupe të apasionuara të rinjsh të cilët po e kthejnë në trend përdorimin e biçikletës edhe në përditshmëri, është përgëzuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në zyrën e tij mbërriten disa të rinj ambasadore të këtij sporti. Kryebashkiaku u tha se pajisja e të gjithë infrastrukturës rrugore të kryeqytetit me korsitë e dedikuara të biçikletave është një prej sfidave kryesore të tij.

“Nëse rrugët kryesore të Londrës, apo të Parisit po i dedikohen biçikletave, atëherë duhet të ketë mirëkuptim që edhe një pjesë e rrugëve të Tiranës të përshtaten për biçikleta. Ne kemi disa rrugë fantastike siç është Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Bulevardi “Zogu I”, apo pjesa e Unazës, ku është krijuar tashmë rrjeti kryesor i korsive të biçikletave, por, veç infrastrukturës fizike, kërkohet tashmë edhe një infrastrukturë kulturore. Nuk është çmimi, apo pesha e mjetit të transportit ajo që na dallon si qytetarë, por është kultura ku ne e respektojmë të gjithë njëlloj, si atë që drejton automjetin e tij ashtu edhe këmbësorin, çiklistin, apo atë që përdor transportin publik”.

Ai nënvizoi se studimi i fundit i GIZ-it gjerman që po asiston Bashkinë e Tiranës edhe për korsitë e biçikletave tregon që 70% e udhëtimeve me makinë janë për distanca më pak se 5 kilometra.

“Unë e kuptoj dikë që do të shkojë në Durrës, por të blesh bukë me makinë, apo të shkosh tek kafja e lagjes me makinë, kjo shifër 70% është e ekzagjeruar. Për çështje të shëndetit, për të qenë fit, për të shijuar ajrin e pastër, për tu siguruar që mësimet që nxorëm nga pandemia nuk i harrojmë menjëherë tani që Tirana u hap, na lipset të inkurajojmë çdo ditë këtë kulturë të re lëvizshmërisë,”, duke siguruar se, ambicia është të shkojmë në një qytet ku të ecësh me biçikletë duhet të jetë po aq e sigurt sa të ecësh në këmbë. “Objektivi është që të kemi korsi të dedikuara, por dhe të sigurta, të ndara nga pjesa e makinave, siç kemi bërë në akset kryesore të Tiranës. Tani do të fillojmë me barrierat edhe tek Rruga e Durrësit, kështu që edhe hyrja në Tiranë do jetë po aq e sigurt”.

Një tjetër element pozitiv i promovimit të çiklizmit sipas Veliaj është eksplorimi i shtigjeve të reja në periferitë e Tiranës, e cila i shërben edhe vetë komuniteteve të vogla lokale.

Klan News