Zhvillimet në mjekësi, teknologjia e avancuar dhe mjekët e specializuar kanë bërë që edhe në Shqipëri të realizohen ndërhyrje të të gjitha llojeve. Për tu ndjerë më të bukur, por dhe më mirë me veten shumë njerëz zgjedhin operacionet plastike. Sipas specialistes në Mjeksinë Estetike dhe Korrektive, Lida Hoxha, operacioni më i kërkuar në vendin tonë vijon të mbetet ai në hundë, duke u pasuar nga ndërhyrjet në gjoks dhe në bark. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Hoxha, tha se sot në Shqipëri realizohen të gjitha ndërhyrjet që realizohen edhe në Europë.

“Sot në Shqipëri mund të themi se realizohen të gjitha ndërhyrjet që realizohen edhe në Europë. Kërkesa në Shqipëri janë bërë gjithnjë edhe më specifike, njerëzit janë më të informuar. Operacioni që kërkohet më shumë në Shqipëri është ndërhyrja në hundë. Vazhdon të mbetet më i kërkuari ky operacion. Më pas vjen gjoksi dhe ndërhyrja në bark. Këto nuk vijnë rastësisht sepse janë femra që pasi kanë lindur kanë nevojë të bëjnë një rikonstruksion. Një tjetër ndërhyrje shumë e kërkuar është edhe heqja e dhjamit në zona të caktuara”,

tha Hoxha.

/tvklan.al