Në kryeqytetin Kabul të Afganistanit po veprojnë vetëm tri ambasada të huaja, e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit. Të gjitha vendet tjera kanë evakuuar personelin e ambasadave të tyre. Vendi fundit që tërhoqi stafin ishte India.

Duke marrë parasysh rrethanat është vendosur që ambasadori ynë në Kabul dhe stafi i tij të zhvendosen menjëherë në Indi“, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane Arimdam Bagchi në Twitter më 17 gusht.

Njoftimi vjen derisa mijëra afganë po përpiqen me çdo kusht të largohen nga Kabuli pasi qyteti u mor nën kontroll nga talibanët. Më herët, më 17 gusht, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së tha se aeroporti i Kabulit ishte rihapur pasi fluturimet ishin ndalur një ditë më parë për shkak të situatës së sigurisë.

Rusia ka thënë se do të evakuojë vetëm pjesërisht stafin e saj të ambasadës. Ambasadori i saj Dmitry Zhirnov do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e talibanëve më 17 gusht për të diskutuar sa i takon sigurisë së qytetarëve rusë dhe personelin e Ambasadës.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejt dhe të ashpër.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi./REL