KarburantetKonfederata e Industrive të Shqipërisë ka reaguar ndaj kontrolleve të ushtruara nga Inspektoriati Qendror Teknik në pikat me pakicë të karburanteve në vend.

Ajo e përshendet këtë nismë, ndonëse e quan si mjaft të vonuar në kohë.

Kjo pasi sipas saj në pjesën dërrmuese përzierësit e dëmshëm dhe jashtë standardit shtohen pikërisht në pikat me pakicë të karburanteve.

Nga vlerësimet e bëra nga Konfindustria rezulton se bëhet fjalë për  afro 200 milionë euro / vit kosto shtesë, që qytetarët dhe biznesi shqiptar paguajnë padrejtësisht vetëm për shkak të cilësisë së dobët të karburanteve.

Dëmtimi është i madh edhe për vetë shtetin. Kjo pasi cilësia e dobët e karburanteve të tregtuara shkakton edhe evazion fiskal të madh në financat e shtetit që vlerësohet në pothuaj 110 milionë euro / vit.

Po ashtu në njoftim thuhet se dëmi që shkaktohet nga mungesa e cilësisë së karburanteve llogaritet edhe më i madh nëse vlerësohen edhe dëmet në mjedis, shëndet, makineri dhe pajisje.

Vetëm në muajin dhjetor 2014 – janar 2015, Inspektoriati Qendror Teknik ka gjobitur 21 karburante për mungesë cilësie.

10 prej të cilave në kryeqytet, ndërsa 11 të tjerat u konstatuan në Kavajë, Durrës, Kuçovë, Vorë, Krujë dhe në aksin Morinë – Kukës. Gjobat nuk kanë munguar edhe për mungesë dokumentacioni, ku në periudhën dhjetor – janar janë vendosur 21 të tilla.

Tv Klan