Ministria e Bujqësisë ka nisur mbledhjen e mostrave të qumështit dhe nënprodukteve të tij në të gjithë vendin. Në fokus të kontrollit janë supermarketet, dyqanet, fabrikat dhe baxhot që bëjnë përpunimin e tij. Mostrat po dokumentohen, për të shmangur çdo pretendim të markave prodhuese pas përfundimit të analizave. Problemin më të madh për momentin e përbëjnë baxhot e vogla nëpër fshatra, të cilat nuk përmbushin standardet higjenike. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU-së bënë të ditur për Klan Plus se në gjithë vendin janë rreth 320 baxho, për të cilat është vendosur një afat 2 mujor për të plotësuar kushtet. Sipas zyrtarëve, ministria do të mbështesë edhe me fonde ata që duan të investojnë në përmirësimit e standardeve.

Duhet të jenë vetë baxhot përpunuese që duhet të kontrollojnë cilësinë e qumështit që blejnë nga fermat e përqendruara blegtorale apo fshatarët individualë që shesin sasi më të pakta. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, të vënë përballë këtij detyrimi, shumë baxho që nuk plotësojnë standardet, do të jenë të detyruara të mbyllen ose kthehen në pika grumbullimi qumështi. Ndërkohë që për prodhuesit do të ofrohet diferencim në çmim sipas cilësisë.

Në një takim me sipërmarrësit dhe operatorët që kryejnë aktivitet në fushën e industrisë së përpunimit të qumështit dhe mishit, Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi u beri apel prodhuesve të tërheqin menjëherë nga tregu, në mënyrë vullnetare, të gjitha prodhimet që janë jashtë standardeve, si për shembull ato që janë me vaj palme. Në të kundërt, ata do të përballen me sanksione të forta nëse konstatohen nga kontrollet.

Niko Peleshi:

Pra dhe njëherë po e përsëris tërhiqni nga raftet e supermarketeve të gjitha prodhimet që ju vetë e dini që janë jashtë standardeve të lejuara. Plotësoni vetë, kontrolloni vetë veten me check listën e dërguar nga AKU dhe më tej ne do të vazhdojmë në detyrën tonë për të kontrolluar dhe për t’ju siguruar që nuk do të konkurroheni me nga ata që e marrin rrezikun në sy dhe luajnë kokë a pil me gjithë investimin e bërë.

Për të shmangur kontestimet apo manipulimet, analizat do të kryehen në disa laboratorë.

“Nuk do përdorim vetëm një laborator kombëtar por edhe të huaj”.

Sipërmarrësit ngrëne shqetësimin e zanafillës së problemeve të cilësisë së qumështit, që buron nga vendet fqinje

Nikolin Jaka:

Problem është te ushqimi i kafshëve që vijnë nga jashtë, që aty inspektori i AKU duhet ta bllokojë sepse në këtë rast ne dëmtojmë në mënyrë të qëllimshme industrinë tonë duke favorizuar një produkti me aflatoksine nga shtetet fqinj

e.

Ministria e Bujqësisë deklaron se aksionet e mishit dhe qumështit po shoqërohen edhe me mbështetje financiare nga qeveria në drejtim te garantimit të cilësisë. 

Klan Plus