Me vdekjen e Papa Françeskut më 21 Prill, Kisha Katolike po përgatitet për një tranzicion që do të përcaktojë drejtimin e saj për të ardhmen e parashikueshme.
Kolegji i Kardinalëve përgatitet të mblidhet në Vatikan për një konklavë që do të formësojë të ardhmen e Kishës. Ajo nuk do të emërojë vetëm udhëheqësin e ardhshëm të 1.37 miliardë katolikëve, por do të përcaktojë kursin për doktrinën, transparencën dhe shtrirjen e Kishës.
A do të vazhdojë Papa i ardhshëm reformat progresive të Françeskut, apo kardinalët do të kthehen drejt konservatorizmit teologjik? Përgjigjia do të jetë e qartë kur tymi i bardhë të dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine.
Një çështje kyçe për konklavën do të jetë trajtimi i rasteve të abuzimit seksual nga Françesku, i cili ka ndarë udhëheqësit e Kishës. Ndërsa shtohen spekulimet, disa kardinalë të rangut të lartë janë shfaqur si pretendentë kryesorë.
Sipas vëzhguesve të Vatikanit, kandidatët e mëposhtëm kanë shanset më të mëdha. Kësaj here mund të kemi një Papë nga Azia ose nga Afrika.
Një prej tyre. Luis Antonio Tagle i Filipineve. Tani 67 vjeç, konsiderohet si një pretendent i fortë për të vazhduar axhendën progresive të Papa Françeskut. Trashëgimia aziatike e Tagle gjithashtu e bën atë një zgjedhje bindëse, pasi katolicizmi po rritet me shpejtësi në kontinent, veçanërisht në Filipine.
I mundshëm edhe një Papë italian. Kardinali Pietro Parolin, 70 vjeç, është një prej zyrtarëve më me përvojë të Vatikanit. Si Sekretar i Shtetit të Vatikanit që nga viti 2013, ai ka luajtur rol të madh në çështjet diplomatike, përfshirë negociatat delikate me Kinën dhe qeveritë e Lindjes së Mesme. Parolin shihet si një kandidat i moderuar teologjik që mund të sigurojë stabilitet dhe ruajë reformat e Françeskut. Lidhjet e tij të thella me burokracinë e Vatikanit e bëjnë atë një pretendent të fortë.
Matteo Maria Zuppi, italian, kryepeshkop i Bolonjës, 69 vjeç. Kur Zuppi u ngrit në detyrë në vitin 2015 dhe u bë kryepeshkop i Bolonjës, media kombëtare e quajti atë “Bergoglio italian”, për shkak të afërsisë së tij me Françeskun. Zuppi njihet si një “prift i rrugës” i cili fokusohet te emigrantët dhe të varfrit. Ai quhet “Baba Matteo” dhe në Bolonjë përdor biçikletën në vend të makinës zyrtare. Nëse zgjidhet një Papë italian, do të jetë i pari që nga viti 1978.
Jean-Marc Aveline, kryepeshkop i Marsejës, francez, 66 vjeç. Sipas shtypit francez, ai njihet në disa qarqe vendase katolike si Gjoni XXIV, reformator në fillim të viteve 1960. Aveline është i njohur për natyrën popullore, i qetë, bën shaka dhe ka afërsi ideologjike me Françeskun, veçanërisht për emigracionin dhe marrëdhëniet me botën myslimane.
Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Peshkopëve, maltez, 68 vjeç. Fillimisht i parë si një konservator, Grech është bërë një pishtar i reformave të Françeskut brenda Kishës për vite me radhë, duke ecur ashpër me kohën.
Kardinali spanjoll Juan Jose Omella, kryepeshkop i Barcelonës, 79 vjeç. Omella është një njeri sipas zemrës së vetë Papa Françeskut. Pa pretendime, ai bën një jetë të përulur pavarësisht nga titulli i tij i lartë, duke ia kushtuar karrierën kishës e kujdesit baritor. Ai promovon drejtësinë sociale dhe mishëron një vizion gjithëpërfshirës të katolicizmit.
Tabutë mund të thyhen dhe Papa i ardhshëm mund të jetë një afrikan. Kardinali Peter Turkson, 76 vjeç, është një figurë e njohur në qarqet e drejtësisë sociale të Kishës. Turkson ka qenë i zëshëm për çështje të tilla si ndryshimet klimatike, varfëria dhe drejtësia ekonomike. Zgjedhja e Turkson do të shënojë një çast historik si Papa i parë afrikan.
Gjithashtu kardinali Robert Sarah, 79 vjeç, është një zë i njohur konservator. Ai shërbeu si prefekt i Kongregatës për Adhurimin Hyjnor deri në vitin 2021. Sarah ka kundërshtuar me zë të lartë ideologjinë gjinore dhe ka dënuar ekstremizmin islamik, duke i dhënë mbështetje të fortë mes fraksioneve tradicionaliste të Kishës.
Një kandidat kryesor konservator është kardinali Peter Erdő, 72 vjeç. Një studiues i respektuar i së drejtës kanonike, Erdő është një avokat i fortë i mësimeve dhe doktrinës tradicionale katolike. Për ata që kërkojnë një kthim në konservatorizmin e Gjon Palit II dhe Benediktit XVI, Erdő do të përfaqësojë një zhvendosje të madhe nga qasja e Françeskut.
Kardinali Joseph Tobin, kryepeshkop i Newark, N.J., amerikan, 72 vjeç. Nuk ka gjasa që kardinalët e botës të zgjidhnin Papën e parë të SHBA-së, por nëse do të donin, Tobin duket më i mundshmi. Françesku e promovoi si kardinal në vitin 2016 dhe më vonë e bëri kryepeshkop të Neëark. Në këtë rol, Tobin, është përballur me një prej skandaleve të pedofilisë. Njihet për një qëndrim të hapur ndaj komunitetit LGBT.
Konklava papale zakonisht fillon midis 15 dhe 20 ditë pas vdekjes së një pape. Kjo kohë lejon ritet e varrimit, një periudhë zie nëntë-ditore e njohur si novemdiales, dhe siguron kohë për kardinalët në mbarë botën për të udhëtuar drejt Vatikanit.
Papa i ardhshëm do të trashëgojë një Kishë në udhëkryq, një që po përballet me rënien e ndikimit në Europë dhe Amerikën e Veriut, rritjen në Jugun Global dhe debatet e brendshme të vazhdueshme për të ardhmen.
Klan News