Kur janë shënuar 6 të arrestuar për grabitjen e 6.5 milionë eurove në pistën e Rinasit, grupi i prokurorëve po përpiqet të zbardhë cilët janë organizatorët e saj. Nga hetimet e deritanishme mësohet se të vetmit të cilët duket se kanë pasur këtë rol dhe që dyshohet që mund te kenë qenë në pistën e avionëve janë Admir Murataj dhe Klement Çala.

Sipas dëshmisë së të penduarit Alkond Bengasi, plani kishte nisur të paktën 6 muaj para, por 10 ditë para grabitjes personat që ai ka implikuar në të janë takuar shpesh me njeri-tjetrin. Sipas tij në fund të muajit Mars, në një lokal në zonën e Liqenit të Thatë janë takuar Admir Murataj, Klement Çala, Eldi Çala, Ragip Hajdini i njohur ndryshe si “Daja” nga Kosova, Oltion Veseli, Tani nga Fushë-Kruja, Talo Çela dhe Renaldo Sula.

Ndërsa 6 ditë para grabitjes, ai ka parë përsëri në marketin e lagjes Admir Muratajn dhe Ragip Hajdnin. Por kjo dëshmi nuk e ka ndihmuar grupin hetimor të përcaktojë rolet, pasi Bengasi kaq informacion ka pasur. Për këtë arsye, hetuesit po punojnë për të bërë bashkëpunëtor të drejtësisë dhe një tjetër nga të arrestuarit.

Ky person është lidhje mes grupit që ka kryer grabitjen në Rinasi, atyre që kanë ndihmuar më pas dhe organizatorëve të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Arrestimi i Dajës nga Kosova pritet të ndihmojë mjaft prokurorinë, pasi ai dyshohet se është personi, i cili ka hartuar planin e grabitjes dhe ka gjetur furgonat e përdorur në grabitje.

50-vjeçari është i dyshuari kryesor për grabitjen e 25 kg flori në komisariatin e Pejës në vitin 2012 dhe për shkak të kësaj eksperience, ai dyshohet të ketë rolin e regjisorit. Policia vazhdon kontrollet në disa qytete, kryesisht në banesat e të arrestuarve dhe atyre që dyshohet se kanë marrë pjesë në grabitje. Banesa e fundit ku janë përqendruar kontrollet është ajo e kosovarit në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Tv Klan