Këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ishte i ftuar drejtori i Programacionit në Tv Klan, Albert Dumani.

Dumani, pasi foli për të gjitha serialet që aktualisht transmetohen premierë në Tv Klan dhe Klan Plus, u pyet nga moderatorja Rudina Magjistari për serialin më të ndjekur në ekranin më të madh të shqiptarëve.

Rudina: Cilin mund të konsiderojmë si serialin më të suksesshëm të këtij sezoni?

Dumani: Pa dyshim që është “Ertugrul”. Në fakt është hera e parë që një serial përmbyll sezonin e tij të 5-të, zakonisht kemi që serialet turke zgjasin 2-3 vjet dhe e mbyllin ciklin e tyre, por “Ertugrul” nisur edhe nga suksesi ka qenë absolutisht numri një në Turqi, por edhe në shumë vende të tjera. Është absolutisht një nga serialet më të shitura dhe normalisht edhe në Shqipëri ka qenë në çdo natë të transmetimit në shifra rekord audience.  Rikthehet ajo periudha e famshme si në kohën e “Ezel”, kur përpara se të fillojë ndeshja, sidomos ditëve të shtuna, në ekranin e madh burrat shikonin “Ertugrul” dhe pastaj fillonte ndeshja. /tvklan.al