Manchester City niset e favorizuar me PSG, Mbappe në dyshim

Mbrëmjen e sotme do të mësohet finalisti i parë i sezonit 2020-2021 në UEFA Champions League. Në “Etihad Stadium”, Manchester City pret Pari Së Zhërme në aktin e dytë gjysmëfinal të turneut. Anglezët janë më të favorizuar për të kaluar më tej pas fitores 2-1 në sfidën e parë. Gjithashtu, ekipi i Pep Guardiolës hodhi një hap përpara në garën për titull në Premier League dhe fokusi është totalisht tek ky 90 minutësh.

Edhe historia flet në favor të City. Asnjëherë një skuadër angleze nuk është eliminuar pasi ka fituar duelin e parë nokaut në Champions dhe City shpreson që një gjë e tillë të përsëritet. Situatë totalisht ndryshe te francezët. Ekipi i Mauricio Pochettino duhet të djersijë shumë për të kaluar në finale dhe i duhen 2 gola për ta bërë një gjë të tillë. Dhimbjet e kokës për trajnerin argjentinas shtohen akoma dhe më shumë me faktin se Mbappe është në dyshim për këtë sfidë, me francezin që po vuan nga një dëmtim në pulpë. Sfida mes Manchester City e PSG luhet duke nisur nga ora 21:00.

Klan News